Ky është fjalimi i presidentit Thaçi në Samitin Berlinit
Të hënën është mbajtur Samiti i Berlinit, në të cilin kanë marrë pjesë liderët e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe ata të Kosovës.
Në këtë samit i cili është organizuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, presidenti i Hashim Thaçi, ia ka numëruar Serbisë të gjitha pengesat që është duke ia bërë Kosovës.
Fjalimi i plotë i Thaçit në Samitin e Berlinit lidhur me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë:
Zonja dhe zotërinj,
Më lejoni që edhe njëherë të them se nuk mund ta theksoj mjaftueshëm rëndësinë e këtij takimi të sotëm, i cili po ndodh në një periudhë shumë delikate për rajonin, dhe sidomos të relacioneve tepër të tensionuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Përkundër faktit se procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i ngjan një maratone shumë të vështirë dhe plotë pengesa, unë them që dialogu mbetet rruga e vetme për të arritur paqe dhe pajtim.
Për më tepër, marrëveshja e vitit 2013 dhe të gjitha marrëveshjet tjera të arritura pastaj, kanë përmirësuar jetën e qytetarëve të dy shteteve.
Fatkeqësisht, jo të gjitha marrëveshjet e arritura janë zbatuar në tersi.
Serbia ka dështuar të zbatoj marrëveshjen për Energji, atë për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM) dhe ka pamundësuar hapjen e urës mbi lumin Ibër të Mitrovicës, e cila bashkon qytetin e ndarë dhe qytetarët.
Gjithashtu, me veprimet e veta destruktive, Serbia ia ka pamundësuar Kosovës që ta zbatoj në praktikë Marrëveshjen për Themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, në përputhje me marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Ekipi Menaxhues për hartimin e draft statutit të Asociacionit i cili përbëhet nga përfaqësuesit e komunitetit serb që jeton në Kosovë, në përputhje me udhëzimet dhe rekomandimet e Serbisë, ka dështuar në mënyrë të qëllimshme që ta kryej punën e vet në përputhje me marrëveshjen.
Sigurisht, Serbia vazhdon të akuzoj Kosovën për mos zbatimin në praktikë të kësaj marrëveshje, mirëpo të gjithë duhet ta kenë të qartë se institucionet e Republikës së Kosovës janë të gatshme që implementimi i saj të ndodhë pa asnjë vonesë, mirëpo gjithnjë në përputhje me marrëveshjen dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Besoj se të gjithë e keni të qartë se pse Serbia nuk dëshiron që Asociacioni të themelohet ashtu siç e parashikon Marrëveshja dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
Qëllimi është i qartë, Serbia dëshiron që në pjesën veriore të Kosovës, të themelohet një Asociacion i Komunave Serbe me kompetenca ekzekutive, i njëjtë me modelin e Republikës Serbe në Bosnje.
Një gjë e tillë nuk mund të ndodh në Kosovë dhe sot e ritheksoj përsëri që nuk do të ketë Asociacion me kompetenca ekzekutive dhe as nivel të pushtetit të tretë.
Tani me lejoni të kthehem pak tek situata aktuale rreth dialogut dhe mundësitë e arritjes së një marrëveshje përfundimtare.
Të gjithë jemi dëshmitarë se dialogu aktualisht është i bllokuar.
Janë disa faktor që kanë sjellë këtë situatë të pashpresë, por unë po theksoj vetëm disa.
Së pari, Serbia në mënyrë të njëanshme e ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut me heqjen e taksës për prodhimet serbe të vendosur nga Kosova.
Ky veprim është i papranueshëm dhe në kundërshtim me parimin kryesor udhëheqës të dialogut i cili është respektuar që nga viti 2011, që nënkupton se dialogu është i pakushtëzuar.
Vendosja e taksës ka qenë një vendim i domosdoshëm dhe legjitim si reagim ndaj shkeljeve të përsëritura e të dokumentuara të CEFTA-s nga ana e Serbisë. Si i tillë, ai mbetet në fuqi.
Së dyti, më lejoni të them se përpjekjet tona të përbashkëta për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, janë minuar dhe kundërshtuar në mënyrë të pakuptueshme nga disa drejtime.
Përkundër vullnetit të ndërmjetësueses së dialogut znj. Federica Mogherini, dhe gatishmërisë sime dhe Presidentit Vucic për të punuar seriozisht drejt një marrëveshje finale gjithëpërfshirëse, ka munguar përkrahja në aspektin ndërkombëtar por edhe në atë rajonal.
Faktori ndërkombëtar, në mënyrë specifike, shtetet e Qunitit, SHBA, Anglia, Gjermania, Franca dhe Italia nuk kanë dëshmuar unitet dhe përkrahje për përpjekjet tona për marrëveshje gjithëpërfshirëse.
Kjo përçarje, ka pasur reflektime tepër negative në spektrin politik në Kosovë dhe si rrjedhojë, kemi pasur qëndrime kundërthënëse dhe vështirësi të mëdha në themelimin e Ekipit Negociues gjithëpërfshirës në Kosovë.
Me gjithë respektin e madh për ju Kancelare Merkel, President Macron, unë jam skeptik se një marrëveshje gjithëpërfshirëse finale mund të arrihet në rast se shtetet e Quinitit nuk janë të bashkuara dhe në rast se nuk flasin me një zë.
Për më tepër, ju të gjithë e dini se marrëveshja është e pamundur pa rolin vendimtar të SHBA-ve.
Së treti, shtetet fqinjë në rajon, me ndonjë përjashtim të vogël, nuk janë dëshmuar aspak ndihmuese ndaj përpjekjeve tona.
Kështu, derisa në takimet tona bilaterale ata i kanë mbështetur përpjekjet tona për marrëveshje, e vërteta e hidhur është se në takimet që kanë zhvilluar me shtetet e Quinitit duke përfshirë Gjermaninë dhe Francën, shtetet nga rajoni kanë shfaqur kundërshti (në këndvështrimin tim të pabazuara) ndaj arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse.
Kundërshtimi thelbësor i disa shteteve të Quintit kundër përpjekjeve tona për marrëveshje gjithëpërfshirëse (dhe i shteteve te lartpërmendura nga Ballkani Perëndimor), është arsyetuar dhe fokusuar në një çështje të vetme, atë të demarkimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, apo në disa raste të korrigjimit të kufirit.
Kjo është bërë në mënyre të qëllimshme, për të rritur frikën se gjoja ne po përpiqemi të ndryshojmë kufijtë në Ballkan, se gjoja ne duam kufij përgjatë vijave etnike, etj.
Kundërshtarët politik në Kosovë më kanë akuzuar se gjoja unë jam për ndarjen e Kosovës, kurse disa diplomatë perëndimor për kinse krijimin e kufijve etnik të ri në Ballkan.
Këto pretendime kanë qenë dhe janë të gabuar plotësisht.
Atyre që janë ngutur të më sulmojnë kaq ulët duke u fshehur pas disa parimeve të keqpërdorura, u them se nëse sot kemi frikë nga e vërteta dhe sillemi kinse si parimor pa ofruar zgjidhje, duke preferuar ngrirjen e konfliktit ne vend te zgjidhjes se tij, nesër mund te përballemi me opsione tejet destruktive që çojnë ne ndarjen apo krijimin e një Republike të re Serbe në veriun e Kosovës.
Ne kemi punuar për një marrëveshje gjithëpërfshirëse e cila ndër pikat e shumta që do të trajtoj, duhet të ketë edhe një pikë të veçantë për demarkimin e kufirit e cila do të duhej të bëhej nga ekspertët e kësaj fushe.
Unë jam i sigurt se pavarësisht faktit se kur dhe si do të arrihet një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, demarkimi i kufirit ndërmjet të dy shteteve është thjesht i pashmangshëm. Këtë e dimë nga eksperienca jonë me Malin e Zi, por ketë e dimë edhe nga vetë eksperienca e Kroacisë me Slloveninë apo e Shqipërisë me Greqinë për kufirin detar (dhe në mos gaboj edhe për atë tokësor).
Sido që të jetë, kam frikë se momentumi pozitiv që ka ekzistuar vetëm disa muaj më parë, është duke humbur dhe jam skeptik se mund të rikthehet shpejt.
Mirëpo Kosova mbetet e përkushtuar ndaj këtij procesi dhe spektri politik kosovar, është plotësisht i unifikuar në qëndrimet e veta.
– Ne jemi konstruktiv dhe të gatshëm për dialog të pakushtëzuar në çdo moment.
– Sovraniteti shtetëror i Kosovës është dhe mbetet i pacenueshëm.
– Serbia duhet ta njoh pavarësinë e Kosovës dhe të heq dorë nga cenimi i sovranitetit tonë.
– Kosova nuk do të bëj asnjë kompromis me Serbinë në këmbim të njohjes.
– Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe në Kosovë duhet të themelohet në përputhje me marrëveshjen e Brukselit dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, respektivisht ligjet e Kosovës.
– Pretendimet apo ëndrrat e kujtdo qoftë se në Veri të Kosovës mund të themelohet një Asociacion me kompetenca ekzekutive, e modelit të Republikës Serbe, nuk do të realizohen kurrë.
– Nuk mund të ketë një zgjidhje të modelit Gjermano-Gjerman dhe të një sovraniteti të dyfishtë.
– Kosova i ka përfunduar të gjitha kompromiset e veta duke pranuar Planin Gjithëpërfshirës të Ahtisarit.
– Kosova në mënyrë të përgjegjshme dhe legjitime, do të interesohet dhe përkrahë aspiratat e shqiptarëve që jetojnë në Luginë të Preshevës.
Kosova është e gatshme për marrëveshje gjithëpërfshirëse përfundimtare për normalizim dhe pajtim me Serbinë.
Ju faleminderit për vëmendjen Tuaj!
Fjalimi i Thaçit lidhur me pajtimin dhe bashkëpunimin rajonal:
Zonja dhe zotërinj,
Qysh në fillim më duhet të theksoj, se përkundër faktit që kanë kaluar 20 vite nga përfundimi i luftërave në Ballkanin Perëndimor, pajtimi i plotë ndër-etnik dhe ndër shtetëror, ende duket i largët, pavarësisht progresit të bërë.
E njëjta situatë reflektohet kur është në pyetje edhe bashkëpunimi rajonal, pavarësisht iniciativave të shumta të ndërmarra deri më tani, duke përfshirë procesin e Berlinit.
Procesi i integrimit në BE pothuajse është tërësisht i bllokuar.
Perspektiva evropiane për Kosovën mbetet vetëm një frazë e mirë për veshët e cila vazhdon të përsëritet, por asgjë më shumë.
Realiteti i sotëm në Ballkanin Perëndimor, nuk përputhet aspak me pritjet tona dhe ndoshta edhe me ato të BE-së.
Përkundër faktit që shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, i ka dhënë fund procesit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, paqja në rajonin tonë ende mbetet e brishtë.
Jo stabiliteti aktual në marrëdhëniet e Kosovës me shtetet fqinje në rajon, së pari është rezultat i mosnjohjes dhe sjelljes armiqësore e Serbisë, dhe së dyti, mosnjohja e pavarësisë nga Bosnja dhe Hercegovina.
Serbia në mënyrë të vazhdueshme ka vazhduar ta cenojë dhe minojë sovranitetin shtetëror të Kosovës.
Për çudi, sjellja armiqësore dhe anti-evropiane, nuk e ka frenuar rrugëtimin e Serbisë drejt anëtarësimit në BE.
Mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, po shkakton probleme të mëdha për rrugëtimin euro-atlantik të Kosovës.
Kjo situatë ka mundësuar që pesë shtetet anëtare të BE-së, të mos e njohin ende Kosovën.
Si rrjedhojë, legalisht dhe praktikisht Kosova e ka të pamundur të bëj hapa konkret për anëtarësim në BE dhe NATO.
Si përfundim, marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë janë vazhdimisht të acaruara, ekzistojnë barriera të shumta për lirinë e lëvizjes për qytetarët dhe mallrat.
Dialogu i filluar në vitin 2011, përkundër rezultateve të prekshme, tani është i bllokuar nga Serbia, e cila e ka kushtëzuar vazhdimin e tij me heqjen e taksës.
Kushtëzimi i dialogut nuk ka guxuar të ndodhë në asnjë rrethanë, sepse dialogu nuk mund të kushtëzohet nga asnjëra palë.
Ky ka qenë parimi udhëheqës i pashkruar që nga fillimi i këtij procesi.
Në anën tjetër, pak a shumë, për shkak të ndikimit negativ të Serbisë, marrëdhëniet e Kosovës me Bosnje dhe Hercegovinën janë në nivelin me të ultë të mundshëm.
Nuk ekziston lëvizja e lirë për qytetarët e të dy vendeve, dhe rrjedhimisht as për mallra.
Ka një situatë tepër paradoksale, BE-ja ka hequr vizat për qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës, ndërsa kjo e fundit ende e mban në fuqi regjimin e vizave për kosovarët.
Lehtë mund të ndodhë që BE-ja t’i heq vizat për qytetarët e Kosovës, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina të vazhdoj edhe me tutje.
Zonja dhe zotërinj,
Përkundër këtij realiteti të tendosur, sigurisht që ka pasur progres në relacion me shtetet tjera fqinjë në rajon.
Në rend të parë, është tepër e rëndësishëm që Kosova dhe Mali i Zi kanë arritur të ratifikojnë marrëveshjen ndër-shtetërore për shënimin e vijës kufitare / demarkacionin.
Kjo çështje ka qenë thelbësore për vendosjen e marrëdhënieve të mira reciproke.
Për më tepër, për Kosovën, demarkimi i kufirit me Malin e Zi, ka qenë kriteri i fundit për liberalizimin e vizave nga BE-ja.
Mirëpo për fatin tonë të keq, realiteti i sotëm dëshmon se ky ka qenë vetëm një premtim mashtrues.
Kosova padrejtësisht mbetet vendi më i izoluar në Evropë.
Komisioni Evropian kishte rekomanduar liberalizimin e vizave në maj të vitit 2016.
Unë nuk e kuptoj se përse qytetarët e Kosovës që janë populli më proevropian në rajon, diskriminohen në këtë mënyrë.
Maqedonia e Veriut është gjithashtu shtet fqinjë me të cilën kemi bashkëpunim, qarkullim të njerëzve dhe mallrave në mënyrë të papenguar.
Nuk kemi asnjë çështje të hapur dhe e kemi mirëpritur marrëveshjen e Prespës dhe jemi mbështetës për anëtarësimin në NATO dhe BE.
Ndërsa, relacioni i Kosovës me Shqipërinë është i vetëkuptueshëm.
Ne jemi vëllezër dhe si dy shtetet të pavarura, duam që të bashkohemi nën ombrellën e përbashkët të BE-së dhe NATO-s.
Sllovenia dhe Kroacia, janë shtete mike të Kosovës në rajonin tonë.
Marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimi ekonomik janë në nivel shumë të kënaqshëm.
Ne vetëm kërkojmë, që këto dy shtete të avokojnë dhe përkrahin shumë më tepër Kosovën dhe shtetet tjera të rajonit, në mënyrë që të përshpejtohet realizimi i aspiratave tona për anëtarësim në BE dhe NATO.
Zonja e zotërinj,
Në një situatë të tillë të marrëdhënieve tona ndërfqinjësore, shumë iniciativa të mira që kanë dalë edhe nga Procesi i Berlinit, kanë mbetur pa u realizuar.
– Progresi drejt themelimit të zonës ekonomik rajonale, tregtisë së lirë, konektivitetit, e mbi të gjitha pajtimit, do të mbetet i pamundur apo vetëm minimal, për aq kohë sa Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
– Për aq kohë sa një gjë e tillë nuk ndodhë, ndikimi i palëve të treta në rajonin tonë, respektivisht ndikimi i Rusisë dhe Kinës do të jetë i vazhdueshëm.
Kjo situatë e keqe në rajonin tonë, nuk mund të tejkalohet vetëm me deklarata dhe premtime abstrakte.
Duhen vendime të guximshme nga shtetet e rajonit të cilat nuk do të ndodhin për aq kohë, sa nuk ka vendime të guximshme dhe strategjike nga BE-ja dhe shtetet anëtare të saj.
Gjermania dhe Franca kanë mundësi ta marrin lidershipin për këto vendime të guximshme mirëpo se a do ta bëjnë një gjë të tillë apo jo, mbetet në vullnetin e tyre.
Faleminderit për vëmendjen tuaj!
/Epoka e re/