Ky është fshati që infektoi me koronavirus gjysmën e Evropës

23 mars 2020 | 09:14

Më 29 shkurt 2020 një avion u ul në kryeqytetin islandez Rejkjavik. Në bord, shumica e pasagjerëve ishin turistë, që sapo ishin kthyer nga pushimet në fshatin Ischgl në Tirol të Austrisë.

Të rinjtë kishin skijuar në fshatin me 1 500 banorë, i njohur si “parajsa e skive”.

Për shkak të situatës së koronavirusit, ata iu nënshtruan testimeve. Gjysma e tyre ishin pozitivë.

Menjëherë u kuptua se zona e Tirolit ishte e rrezikshme, shkruan gazeta “Corriere della Sera”.

Për pak ditë u kuptua se rasti i Islandës nuk ishte i izoluar. Shumë vende në Evropën qendrore dhe veriore kishin raste të importuara nga Tiroli i Austrisë. Më 7 mars autoritetet norvegjeze testuan një grup turistësh që kishin qenë në Ischgl për ski. Të nesërmen u mësua se thuajse gjysma e personave të infektuar në Norvegji, 491 nga 1198, kishin qenë në Ischgl për skijim.

Më 13 mars edhe Gjermania e shpalli këtë zonë të rrezikshme, pasi 200 njerëz që kishin qenë me autobus në Ischgl rezultuan pozitivë.

Pavarësisht alarmit, edhe në fundjavë vazhdoi turizmi në Ischgl. Më 15 mars u lajmërua për situatën. Qindra turistë nisën të largohen, shumë prej tyre pa u testuar.

Tashmë fshati është izoluar, por është shumë vonë. Në Ischgl për momentin ka 400 infeksione, thuajse dyfishi i atyre në Vjenën me 2 milionë banorë.

Qindra e mijëra raste nëpër Evropë e kanë origjinën nga ky vend. “Babëzia për paratë e mposhti përgjegjshmërinë për shëndetin e njerëzve”, tregohet e ashpër gazeta austriake “Der Standard” në një koment. Sipas saj, qeveria lokale e Tirolit kërkonte të grumbullonte sa më shumë të ardhura deri në fund të sezonit turistik.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ismet Sylejmani Ora policore në Luginë të Preshevës nuk është…