Ky është futbollisti shqiptar i “Partizanit” që i kishte shënuar gol “Prishtinës” ditën kur kishin filluar protestat studentore të vitit 1981
Me 11 mars të vitit 1981, ditë e mërkurë, klubi futbollistik “Prishtina” e cila garonte në rangun e dytë të ligës futbollistike të Jugosllavisë së asaj kohe, së bashku me ekipet tjera shqiptare Trepçën dhe Vëllaznimin, po luante një miqësore me klubin beogradas Partizanin. Për ekipin serb atë kohë luante Xhevat Prekazi nga Mitrovica.
“Prishtina po luante miqësore me Partizanin e Beogradit, ndeshje përgatitore para fillimit të stinorit pranveror. Fituan mysafirët me golin e Xhevat Prekazit nga Mitrovica. Publiku kosovar e njihte nga ndeshjet me Partizanin, si talent i ri ishte transferuar nga Remonti i Mitrovicës”, kështu ka njoftuar klubi i Prishtinës përmes faqes së vet në “Facebook”. Po ashtu në njoftimin përkujtues të klubit të Prishtinës të ngjarjeve të marsit të vitit 1981, bëhet me dije sesi shikuesit kishin filluar të brohorasin në mbështetje të demonstratave në Kosovë, ku edhe ishin larguar nga stadiumi i qytetit për tu bashkuar në protestues. Po ashtu klubi bën të dituar se menjëherë pas protestave të studentëve dhe largimit të tifozëve nga stadiumi, hapësirat e stadiumit të qytetit u shndërruan në kamp ushtarako policor të Serbisë.
Njoftimi i plotë përkujtues i FC Prishtina:
Pranvera Shqiptare
E mërkurë, 11 mars, 1981
Prishtina po luante miqësore me Partizanin e Beogradit, ndeshje përgatitore para fillimit të stinorit pranveror. Fituan mysafirët me golin e Xhevat Prekazit nga Mitrovica. Publiku kosovar e njihte nga ndeshjet me Partizanin, si talent i ri ishte transferuar nga Remonti i Mitrovicës. Por, Luan Prekazin, të vëllain, legjendën e skuadrës të fillim viteve 70-ta, e njihnin të gjithë.
Ndërkohë, po atë ditë, kishte nisur pakënaqësia e studentëve në Qendrën studentore të Universitetit të Prishtinës. Për kushtet e mjerueshme në mensën e ushqimit.
Publiku i shumtë i Prishtinës sapo lëshoi stadiumin nga ndeshja, iu bashkëngjitë turmës.
Protestat u përshkallëzuan dhe vazhduan më 26 mars, kulmuan më 1 prill.
Në Kosovë u shpall gjendje e jashtëzakonshme. Stadiumi i qytetit të KF Prishtina u shndërrua në kamp ushtarako-policor.
Aktiviteti sportiv u ndërpre. Tre skuadrat kosovare në Ligën e dytë, Prishtina, Trepça dhe Vëllaznimi ndeshjet e tyre zhvilluan jashtë Kosovës.
Prishtina luante në Kragujevc, te skuadra nikoqire e Radniçkit.
Bardhekaltrit kishin siguruar ekzistencën më herët. Në javën e 34, të fundit, në Kragujevc në derbin e Kosovës, Prishtina u mposhtë miqësisht dhe lehtësisht nga rivali i përhershëm dhe i përbetuar. Fitoi Trepça 1:0 duke i shpëtuar rënies nga Liga që nuk i kishte ndodhur asnjëherë nga ngjitja në fund të viteve 50-ta.