Ky është i dyshuari për vrasjen në tentativë në Kolovicë, ndodhet ende në arrati
Një person ka mbetur i plagosur sot si pasojë e të shtënave me armë zjarri në rrugën ‘Haxhi Zeka’ në Kolovicë të Prishtinës. Viktima është dërguar në spital për tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është arratisur nga vendi i ngjarjes, raporton Sinjali.
Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari është Fitim Doda, 25-vjeçar.
Burimet brenda Prokurorisë kanë zbardhur detaje ekskluzive nga dëshmia e viktimës, i cili ka pohuar se Doda ka qenë i shoqëruar edhe nga dy persona tjerë.
Bazuar në dëshminë e viktimës, i riu ka shtënë me armë të gjatë disa herë nga vetura në drejtim të tij dhe më pas është larguar.
Policia në koordinim me Prokurorinë kanë kryer bastisje në shtëpinë e Dodës, mirëpo ai nuk është gjetur aty dhe po punohet ende për lokalizimin e vendndodhjes së tij.
Ndërkohë është arritur që të gjendet e braktisur vetura që dyshohet se u përdor nga i dyshuari.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vrasje në tentativë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të bie në pranga i dyshuari.