Ky është i dyshuari që vodhi armën zyrtare dhe dokumentet personale të zyrtarit të AKI-së
Sot është raportuar ekskluzivisht se shtëpia e një zyrtarit të AKI-së, në Prizren, ka qenë cak i hajnave. Ai dyshohet se dje në mesditë vodhi armën zyrtare dhe dokumentet personale të punonjësit të agjencisë së inteligjencës kosovare.
Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari është: Menderes Kadri, i lindur më 1991.
Ky i fundit pas një bashkëpunimi të ngushtë të institucioneve të sigurisë, është arrestuar sot në mesditë.
Ndalimin e tij e ka konfirmuar edhe Policia në Prizren.
“Pas disa veprimeve operative-hetimore hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve të Drejtorisë Rajonale të Prizrenit kanë arrit që të identifikojnë dhe arrestojnë të dyshuarin, për të cilin dyshohet se dje ka hyrë në shtëpinë e një zyrtari në Prizren, dhe ka vjedhur armën zyrtare dhe disa dokumente personale”.
“I dyshuari është intervistuar dhe ka pranuar veprën. Disa nga gjësendet e vjedhura janë gjet ndërsa arma ende është duke u kërkuar nga hetuesit”, thuhet në konfirmimin e policisë prizrenase.
Si ndodhi rasti?
Sinjali ka raportuar ekskluzivisht se rasti që ndodhi dje pasdite është denoncuar nga vet zyrtari, i cili ka raportuar në Polici se një person i është futur në shtëpi në orët e pasdites dhe dyshohet se ia ka vjedhur një çantë.
Sipas informacioneve të para që ka Sinjali, në çantën që e vodhi hajni ishte arma zyrtare, dokumente personale, ndër të tjera edhe ID-ja e viktimës si zyrtar i AKI-së.
Policia është njoftuar menjëherë dhe si rezultat, njësitë përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku janë kryer procedurat e nevojshme.
Pas intervistimit, me vendim të Prokurorit i dyshuari është ndaluar për 48 orë.