
Ky është ish-ushtari i radhës i UÇK-së që ftohet nga Gjykata Speciale
Rrahim Hashimi, ish-luftëtar i “Forcave Komando Delta” të UÇK-së, Brigada 138 – ZOD, është ftuar nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit.
“Jam ftuar nga prokurori i Dhomave të Specializuara në Hagë për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit dhe duhet të paraqitem më 9 prill në Hagë”, ka thënë Rrahim Hashimi gjatë një konference për media në selinë qendror të OVLUÇK-së në Prishtinë.
Ai ka thënë se pavarësisht votimit të padrejtë nga ana e deputetëve të Kuvendit të Kosovës për ligjin e Dhomave të Veçanta, ai do t’i përgjigjet pozitivisht kësaj ftese.
“Do të respektojë ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës për aq kohë sa janë në fuqi këto ligje”, ka thënë ai.
“Personalisht nuk kam qenë i përfshirë në ndonjë krim dhe as që kam njohuri për ndonjë krim të kryer”, ka theksuar ish-luftëtari i UÇK-së, Rrahim Hashimi.
Ai ka bërë me dije se nuk do të marrë avokat mbrojtës në këtë fazë.
“Me mirësjellje ju lus që për çdo gjë dhe për ecurinë e procesit t’ju drejtoheni OVLUÇK-së. Kërkoj që të mos më bezdisni mua apo familjarët e mi”, ka thënë Rrahim Hashimi.
(Epoka e re / F. DËRMAKU)