Ky është mesazhi i Bekim Jasharit për festën e Kurban Bajramit
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ua ka uruar të gjithë besimtarëve myslimanë festën e Kurban Bajramit.
Ai nëpërmjet llogarisë se vet në “Facebook”, ka thënë se desta e Kurban Bajramit, përveç tjerash, demonstron dashurinë, nënshtrimin dhe respektin tonë ndaj porosive Hyjnore.
Postimi i plotë i Jasharit:
Të nderuar besimtarë të besimit islam,
Të nderuar qytetarë të komunës sonë,
Jemi në prag të njërës nga dy festat islame, festës së madhe të Kurban Bajramit, që është shumë e rëndësishme shikuar në rrafshin fetar, human, shkencor dhe kulturor.
Me këtë rast, dua t’u dërgoj nëpërmjet këtij mesazhi, të gjithë besimtarëve islamë dhe të gjithë qytetarëve të Komunës së Skenderajt, dhe me gjerë, urimet më të sinqerta, me shpresën dhe lutjet te Allahu i Madhërishëm, që t’i ketë pranuar ibadetet, adhurimin ndaj Tij, sakrificat dhe veprat e mira e të sinqerta!
Festa e Kurban Bajramit, përveç tjerash, demonstron dashurinë, nënshtrimin dhe respektin tonë ndaj porosive Hyjnore.
Kjo festë gjithashtu, fton besimtarët islamë që të jenë më të arsyeshëm, të kultivojnë vlera njerëzore ndaj të gjithëve, në veçanti ndaj familjes, të afërmeve, fqinjëve dhe ndaj të gjithë atyre që kanë nevojë.
Haxhi, si një nga pesë shtyllat e fesë islame, është detyrim fetar, dhe po përmbushet edhe nga një grup i qytetarëve të komunës së Skenderajt, të moshave të ndryshme.
Këta besimtarë i janë bashkuar karvanit prej dhjetëra miliona besimtarëve tjerë islamë nga mbarë bota, në rrugën e tyre drejt Qabesë në Mekë dhe vendeve tjera të shenjta në Arabi.
Të dashur besimtarë të besimit islam,
Të dashur qytetarë të Skenderajt,
Me urimet për begati, harmoni dhe dashuri ndaj njëri-tjetrit, urime Festa e Kurban Bajramit!