Ky është mesazhi i senatorëve amerikanë për Kosovën dhe Serbinë
Senatorët amerikanë, republikani Ron Johnson dhe demokrati Chris Murphy, kanë vizituar të mërkurën Kosovën.
Gjatë deklarimit të tyre përpara medieve, ata kanë thënë se janë këtu që ta përkrahin popullin e Kosovës dhe atë të Serbisë.
“Ne jemi këtu të japin përkrahjen tonë për këtë vend për ketë regjion. Arritja e një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë është çelësi i arritjes së një prosperiteti për qytetarët e të dyja vendeve”, tha senatori Ron Johnson.
Ndërsa senatori demokrat, Chris Murphy, ka kërkuar që të vazhdojë dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Sa i përket dialogut duhet të vazhdojë dialogu dhe të marrin vendime të vështira. Duhet që ky dialog të ketë kuptim dhe në të mirën e të dy shteteve. Ne do ta vazhdojmë udhëtimin tonë edhe në Serbi dhe atje do t’i themi edhe Vuçiqit të njëjtën gjë. Duhet të rregullohen marrëdhëniet ndërmjet këtyre dy nacionaliteteve sepse kjo është e mira për të dy shtetet, që të jenë në gjendje edhe ta rrisin ekonominë e tyre”, ka thënë senatori Murphy.
Senatorët amerikanë kanë inkurajuar qytetarët e Kosovës që të dalin masovisht në zgjedhjet e 6 tetorit.
Paraprakisht senatorët amerikanë janë takuar me Albin Kurti, Shpend Ahmetin, Behgjet Pacollin, Ramush Haradinajn dhe Isa Mustafën, si dhe pjesëtarët e shoqërisë civile.