Ky është mesazhi i Kurtit në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, ka thënë se mediet kanë rol informues dhe edukues.
Ai në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se medie, siç çdo e mirë publike nuk mund të jetë treg. “Organizatat ndërkombëtare e kategorizojnë Kosovën si vend me media pjesërisht të lirë. Pjesën e lirë të medies, atë që ndjek ndërgjegjen e vet dhe interesin publik, e falënderojmë. Pjesës tjetër i urojmë që të lirohet sa më shpejt prej skllavërisë ku gjendet”, ka shkruar Kurti.
Postimi i plotë i Kurtit:
Midis të mirave publike, kështu argumentojnë ekonomistët, është edhe media, e sidomos lajmi. Ashtu si rrugët, parqet, hapësirat e përbashkëta, edhe sferës së medies e të lajmit ne i qasemi individualisht por pa e konsumuar atë, marrim prej saj, por pa ia hequr edhe tjetrit mundësinë që të marrë të njëjtën përmbajtje, nëse dëshiron.
Kjo e mirë publike nuk do të ishte e mundur pa punën dhe përpjekjen e vështirë për të ruajtur etikën profesionale, të dhjetëra gazetarëve të guximshëm. Nën presionin e vazhdueshëm të pronarëve e të pushtetarëve, këta gazetarë janë pothuajse të pambrojtur, shpesh pushohen nga puna me pretekste qesharake, shpesh punojnë pa kontrata ose me kontrata fiktive, u vonohen pagesat, akuzohen verbalisht në ambientet e punës ose gjatë kryerjes së detyrës, e janë të pasindikalizuar siç duhet. Si të mos mjaftojnë këto, e kanë edhe një vështirësi tjetër, përjetojnë përditë konkurrencën e pamerituar prej shumë të tjerëve që vetëm i thonë vetes gazetarë, të cilët e shesin dhe e shkelin etikën e profesionit të tyre në këmbim të parasë apo rritjes në karrierë, dhe shndërrohen në vegla të maskuara ose të pamaskuara të pushtetit.
Megjithatë, publiku ka fare pak kontroll mbi këtë të mirë publike, që është media. I vetmi kontroll që vjen nga publiku, vjen në formën e matjes së audiencës, e cila pastaj reflektohet në zgjedhjen e programacionit apo ndërtimin e përmbajtjes. Problemi është se kur ndiqen shijet e publikut në një mënyrë kaq sasiore, pra duke shkuar gjithnjë aty ku ka sa më shumë klikime apo shikime, duke patur parasysh se çfarë është niveli i përgjithshëm i edukimit e arsimimit sot, doemos do të përfundohet në një gazetari sensacionale, skandaloze e thashetheme, gazetari e sipërfaqësisë së pacipë.
Dikush mund të thotë se kjo është ajo çka pëlqen shumica, por duke qenë se brenda vetes së gjithkujt ekziston një pjesë “e lartë” gjykuese, ashtu si edhe një pjesë “e ulët” që synon përmbushjen e atypëratyshme të nevojave, mund të themi se përzgjedhja ekstremisht e anshme e njërës prej këtyre dy pjesëve, bën që media të përfundojë shpesh në një pozitë paradoksale me atë që i servon publikut. Ja që shumicës nuk i pëlqen ajo që “pëlqen shumica”.
Media, si çdo e mirë publike, nuk mund të jetë thjesht treg. Ajo ka mision informues, andaj edhe edukues, e këto të dyja po të lihen nën kontrollin e duarve “të padukshme”, e degradojnë këtë të mirë publike në dy rrafshe. Nga njëra anë e thjeshtojnë në biznes privat, që funksionon thjesht si armë në dorë të pronarit, i cili kryesisht fitimin e nxjerr përmes bizneseve të tjera por medien e përdor thjesht për të shantazhuar politikanët që nuk i interesojnë, ose për të shtyrë përpara çështje ngushtësisht të lidhura me agjendën e tij biznesore. Nga ana tjetër, media reduktohet në shërbim (dez)informativ, e cila në vend se ta ketë synim përcjelljen e lajmit, nis të krijojë lajme dhe gjendje, për ta çuar ndjeshmërinë e publikut herë këtu e herë aty, sipas interesave të agjendave jotransparente.
Këto shqetësime nuk i përkasin vetëm Kosovës, por edhe vendeve të tjera. Megjithatë, në vendet perëndimore, përveçse punës së vazhdueshme me legjislacionin që rregullon mediet, këto probleme zgjidhen edhe përmes forcimit dhe rritjes së larmisë të kanaleve mediatike në pronësi publike, të cilat nuk udhëhiqen as nga parimi i fitimit, as nga parimi i klikimeve dhe i shikimeve, e as nga interesi i pronarit. Problemi është se këtu tek ne, edhe administruesi i pronës publike, pra qeveria, është tërësisht e privatizuar dhe në shërbim të privatëve që e përbëjnë.
Prandaj edhe RTK, i cili është mediumi ynë publik, në vend se të shërbejë me përmbajtje cilësore, është profesionalisht, estetikisht dhe etikisht shumë më dobët. Në vend se t’i shërbejë publikut, RTK sillet si më privat se privatët dhe haptazi i shërben regjimit. Megjithatë, kjo nuk zgjidhet me privatizimin e RTK-së, por me ç’privatizim e ç’kapje të shtetit.
Këto e të tjera probleme më vijnë ndërmend sot në ditën botërore të Lirisë së Shtypit. Organizatat ndërkombëtare e kategorizojnë Kosovën si vend me media pjesërisht të lirë. Pjesën e lirë të medies, atë që ndjek ndërgjegjen e vet dhe interesin publik, e falënderojmë. Pjesës tjetër i urojmë që të lirohet sa më shpejt prej skllavërisë ku gjendet.