Ky është mesazhi i presidentit Thaçi për përvjetorin e pavarësisë së ShBA-së
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka uruar popullin amerikan për 242-vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA).
Ai në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se 4 Korriku është gjithmonë ngjarje emocionale për Kosovën.
“Në Kosovë festimi i 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së ShBA-së është gjithmonë një ngjarje e veçantë dhe emocionale. Kështu ka qenë, kështu është tani dhe kështu do të mbet për gjithmonë, sepse liria jonë, vlerat tona, janë të mishëruara me ato të popullit amerikan. Modeli amerikan i ndërtuar mbi lirinë individuale, bashkëjetesën ndërmjet popujve dhe komuniteteve të ndryshme, ndarje të pushteteve dhe llogaridhënie, sundim i rendit dhe ligjit janë edhe vlera që ndërtojmë dhe promovojmë edhe ne në Kosovë”, ka shkruar Thaçi.
Presidenti Thaçi ka rikonfirmuar miqësinë e përhershme të Kosovës me ShBA-në
“Mirënjohjen tonë e shprehim duke punuar për paqen, fqinjësinë e mirë si parakushte të domosdoshme për integrime euroatlantike. Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës i uroj popullit amerikanë Ditën e Pavarësisë dhe rikonfirmoj zotimin tonë për ruajtjen e marrëdhënieve tona speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, miqësinë tonë të përhershme dhe aleancën tonë në vlerat dhe parimet që na bashkojnë”, ka shkruar Thaçi.
/Epoka e re/