Ky është njëri nga të arrestuarit nga Krimet Ekonomike në Prizren, dyshohet se lëshoi certifikata kundërligjshëm
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren sot kanë zhvilluar një aksion në disa lokacione, ku cak i bastisjeve kane qenë disa autoshkolla, që dyshohet se kanë kryer veprime të kundërligjshme.
Gjatë operacionit policor, kanë rënë në prangat e Policisë së paku tre persona, të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe legalizim të përmbajtjes së rreme.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se njëri nga të arrestuarit është Lutfi Bytyqi – pronari i kompanisë “Galaktika SH.P.K.”, i cili dyshohet se ka lëshuar certifikata mjekësore për kandidatët të cilët kanë paraqitur provimin për patentë, pa ua bërë kontrollin mjekësor.
Këto veprime të kundërligjshme dyshohet se i ka kryer duke bashkëpunuar me dy autoshkolla.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës dhe kanë bërë të ditur se të njëjtit dyshohet se kanë lëshuar vërtetime për aftësimin e kandidatëve në pjesën teorike dhe praktike pa qenë kandidatët fare prezent në Kosovë.
“Hetuesit policorë nga Sektori për Hetime Financiare/Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), e kanë trajtuar informatën ku dyshohet se, zyrtarë të një klinike mjekësore me seli në Prizren, lëshojnë certifikata mjekësore për kandidatet të cilët paraqesin provimin për patentë shofer, pa qenë fizikisht prezent në klinikë dhe pa ua bërë kontrollin mjekësor.
Po ashtu, dyshohet se kjo klinikë bashkëpunon me dy auto-shkolla, njëra me seli në Prizren dhe tjetra me seli në Malishevë. Dyshohet se edhe auto-shkollat kanë lëshuar vërtetime për aftësimin e kandidatëve në pjesën teorike dhe praktike pa qenë kandidatët fare prezent në Kosovë.
Kjo informate është trajtuar nga hetuesit policorë në bashkëpunim me Prokurorin Themelore Prizren, ku pas ndërmarrjes se veprimeve hetimore janë mbledhur provat fillestare që vërtetojnë dyshimin e bazuar në lidhje me pretendimet (dyshimet) e lart-cekura.” – ka njoftuar Policia.
Sipas Policisë, tre të arrestuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Sot, më 18.01.2024, nën dyshimin e përfshirjes në veprat penale: ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘legalizim i përmbajtjes se rreme, policia ka arrestuar tre të dyshuar: I.G., (viti i lindjes 1962, mashkull kosovar), U.M., (viti i lindjes 1975, mashkull kosovar) dhe L.B.., (viti i lindjes 1975, mashkull kosovar). Personat e dyshuar janë shoqëruar në zyrat e DHKEK në Prizren, të cilët janë intervistuar, pastaj me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje deri 48 orë.”