Ky është numri i të infektuarve me koronavirus në botë
Numri i rasteve të konfirmuara me koronavirus në botë kaloi 100 milionë, në kohën kur vendet po përpiqen të frenojnë variantet e reja të virusit.
Të dhënat e Universitetit Johns Hopkins tregojnë se Shtetet e Bashkuara me mbi 25 milionë raste, mbeten vendi më i prekur në botë.
Rastet në SHBA, të kombinuara me ato në Indi, Brazil, Rusi dhe Britani, përbëjnë më shumë se gjysmën e të gjitha rasteve të raportuara.
Shifra 100 milionë përfaqëson 1.3 për qind të popullsisë së botës, por ekspertët e shëndetit thonë se shumë raste nuk raportohen – çfarë do të thotë se numri aktual i tyre është shumë më i lartë.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i cili mori detyrën javën e kaluar, tha se vendi i tij do të blejë 200 milionë vaksina shtesë. Ato do t’i rrisin furnizimet mjaftueshëm për të vaksinuar çdo amerikan deri në fund të verës ose në fillim të vjeshtës.
“Kjo do t’iu mundësojë miliona amerikanëve të vaksinohen më shpejt seç parashikohej më parë”, tha Biden.
“Më shumë se 400,000 amerikanë kanë vdekur tashmë. Kjo është një ndërmarrje e kohës së luftës. Nuk është hiperbolë”, tha ai.
Britania, të martën, u bë vendi i parë në Evropë, ku numri i viktimave nga koronavirusi kaloi 100,000. Një variant i ri i koronavirusit, i detektuar për herë të parë në Britani, është përhapur tashmë në disa vende të botës dhe thuhet se është më ngjitës.
Kjo ka bërë që autoritetet t’i ashpërsojnë ose zgjasin masat e izolimit në disa vende.