Ky është paneli i Apelit që do të vendosë lidhur me ankesën e Thaçit ndaj vendimit për vazhdim të paraburgimit
Faqja zyrtare e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ka bërë të ditur se kryetarja Ekaterina Trendafilova e ka caktuar përbërjen e panelit që do të vendosë lidhur me ankesën e mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi.
E kjo ankesë është parashtruar me anë të vendimit të cilin gjyqtari paraprak i ka vazhduar masën e paraburgimit Thaçit.
Sipas vendimit të marrë nga Trendafilova, paneli i Apelit do të përbëhet nga gjyqtarët Michèle Picard, Emilio Gatti dhe Nina Jørgensen, njofton Klankosova.tv.
Ndryshe, më 24 gusht Trendafilova ka hudhur poshtë kërkesën e mbrojtjes së Hashim Thaçit, për vetëtërheqjen e saj nga detyra specifike e caktimit të panelit të Gjykatës së Apelit, i cili do të vendosë rreth kësaj ankese.
Këtë kërkesë mbrojtja e ish-presidentit të Republikës së Kosovës e kishte parashtruar më 16 gusht.
Ndryshe, më 9 nëntor, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.
Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij me 10 nëntor, sikurse edhe Selimi me 11 nëntor.