Ky është personi që sulmoi Policinë në Prishtinë, njëri nga policët thyen dorën duke e vënë në kontroll
Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpeshherë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën. Kështu ka ndodhur së fundmi në rrugën “Ilaz Kodra” në Prishtinë, raporton Sinjali.
Incidenti ka nisur pasi Policia ishte duke intervenuar në një rast të vjedhjes që u raportua në atë pjesë, me ç’rast kanë arritur ta kapin personin e dyshuar, i cili refuzoi t’i përfillte urdhrat e policëve dhe i sulmoi ata.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për të dyshuarin Florian Hajdari, 26-vjeçar, i cili përfundoi në ndalim policor pasi u fut në sherr me Policinë.
Hajdari po dyshohet se i ka sulmuar zyrtarët policorë pasi e kuptoi se po shoqërohej në stacion policor, duke i detyruar të përdorin sprej për ta vënë situatën nën kontroll.
Për pasojë, dy policë janë lënduar – njëri prej të cilëve ka pësuar frakturë në njërën dorë, për çka kanë marrë trajtim mjekësor në spital.
Ndaj të dyshuarit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor për 48 orë për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.