Ky është polici që u sulmua nga Policia serbe, por që ka arritur të ikë duke e kaluar kufirin për në Kosovë në këmbë
Një pjesëtar i Policisë së Kosovës është sulmuar mëngjesin e sotëm derisa po udhëtonte për në Gjermani. Polici nga Podujeva, që gjatë udhëtimit ishte jashtë detyrës zyrtare, po udhëtonte drejt Gjermanisë, rast ky për të cilin raportoi ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Veçse, udhëtimi iu ndal në gjysmë pasi i njëjti u sulmua nga pjesëtarë të Policisë kufitare të Serbisë.
Burime të Gazetës Sinjali, bëjnë me dije se pjesëtari i Policisë së Kosovës, i cili është sulmuar sot nga Policia serbe në zonën kufitare mes Kosovës e Serbisë është Abdullah Zeqiri.
Abdullah Zeqiri, më herët ka qenë pjesë e njësisë speciale operative, derisa tash është pjesë e njësisë e reagimit të shpejtë në Policinë kufitare në Veri.
Zeqiri në të kaluarën ka qenë pjesëtar i UÇK-së.
Burime të Sinjalit bëjnë me dije se Zeqiri është sulmuar pas hyrjes në territorin e Serbisë për afro 400 metra.
Sipas informacioneve, pjesëtarin e Policisë kosovare, pala serbe tentoi ta nxjerrë jashtë autobusit duke e quajtur ‘terrorist’, për shkak se i njëjti ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pas rezistimit të tij, ai është sulmuar nga disa policë kufitarë të Serbisë, veçse ka arritur të ikë duke e kaluar kufirin për në Kosovë në këmbë.