![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2022/03/Ramush-Haradinaj-AAK-.jpg)
Ky është qëndrimi i Haradinajt për marrëveshjen me Serbinë për energjinë
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i ka dhënë notë kaluese marrëveshjes së nënshkruar të martën në mes të Kosovës dhe Serbisë për energjinë.
Haradinaj ka thënë se sipas kësaj marrëveshjeje nuk preket sovraniteti i Kosovës.
“Nëse pala serbe e zbaton këtë ‘roadmap’, nuk është keq në krahasim me gjendjen e tanishme. Pra e tëra, siç po thuhet në këtë marrëveshje bazohet në marrëveshjet e mëparshme për energjinë të viteve 2013/2015, veçse këtu janë vënë edhe afatet kohore”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Haradinajt:
Qëndrimi im për marrëveshjen me Serbinë për energjinë
Sipas kësaj marrëveshjeje, nuk preket sovraniteti energjetik i Kosovës, meqë ai është vendosur me marrëveshjen e re të kyçjes KOST-ENTSO-E, ku ndërkombëtarisht njihen kufijtë energjetikë të Kosovës, në kufijtë shtetëror dhe operimi i pavarur i KOSTT-it nga EMS (Serbia), si zonë rregulluese brenda sistemit rregullator me OST (Shqipërinë). Operimi I KOSTT brenda bllokut me Shqipërinë, siç e dini është vendosur me marrëveshjen e njohur edhe nga ENTSO-e, me 26.11.2019.
“Roadmap” për zbatimin e marrëveshjes së energjisë, aq sa pash në mediat elektronike i paska 9 pika.
Pika 1 ka qenë edhe pjesë e marrëveshjes së kyçjes KOSTT – ENTSO-E, nënshkruar nga unë;
Pika 2 është e re, dhe sipas mendimit tim është në rregull;
Pika 3, që ndërlidhet me aktivitetet me KOSTT ka qenë në planin aksional të marrëveshjes së kyçjes KOSTT – ENTSO-E, kurse ato aktivitetet tjera janë të reja nga marrëveshja e kyçjes me ENTSO-E, por që bazohen në Marrëveshjen e Energjisë të vitit 2015;
Pika 4 ka qenë në planin aksional të marrëveshjes së kyçjes KOSTT – ENTSO-E;
Pika 5 është e re por që bazohet në marrëveshjen për energji të vitit 2015, që është në rregull;
Pika 6 i jep pak më shumë autoritet Elektrosever, pasi që për planin investiv dhe zhvillimor për infrastrukturën e rrjetit transmetues dhe të shpërndarjes, duhet konsultuar “Elektrosever”.
Pika 7, ERO (ZRrE) aprovon në princip planet zhvillimore dhe të mirëmbajtjes. Ndoshta për shkak të afateve të ndërlidhura e kanë vënë “në princip”, pasi që aprovimi i këtyre planeve bëhet deri në prill të vitit përkatës përmes tarifave;
Me sa po kuptoj me Pikën 3, “Elektroseverit” përmes marrëveshjeve që do bëhen me KEDS, disa shërbime do të nënkontraktohen tek “Elektrosever”, sipas marrëveshjes së energjisë 2013/2015.
Nëse pala serbe e zbaton këtë “roadmap”, nuk është keq në krahasim me gjendjen e tanishme. Pra e tëra, siç po thuhet në këtë marrëveshje bazohet në marrëveshjet e mëparshme për energjinë të viteve 2013/2015, veçse këtu janë vënë edhe afatet kohore.