Ky është reagimi i Ymerit pas lirimit të Kurtit dhe Kadaj-Bujupit
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka folur rreth lirimit nga paraburgimi të deputetëve të kësaj lëvizje, Albin Kurtit dhe Donika Kadaj-Bujupit.
Ai në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se gjykatësi Beqir Kalludra, po i gjykon deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës për shkak të mbrojtës se sovranitetit dhe territorit të vendit tonë.
Postimi i plotë i Ymerit:
Albinit dhe Donikës, Kalludra ua ndërpreu paraburgimin e padrejtë e tërësisht të panevojshëm.
Është shumë mirë që nuk do të mbahen më në burg. Por përndjekja ndaj tyre nuk ka përfunduar. Procesi ndaj Albinit, Donikës, Albulenës e Fatonit po vazhdon.
Më 3 janar të vitit të ardhshëm do të shqiptohet vendimi i trupit gjykues ndaj tyre, i prirë nga Beqir Kalludra.
Ky gjykatës po i gjykon deputetët e Kuvendit të Republikës sepse këta ia mbrojtën sovranitetin e territorin kësaj Republike! Ia mbrojtën asaj kushtetutshmërinë të cilën synonte ta përmbys Vuçiqi përmes Thaçit e Mustafës. Praktikisht Kalludra po thotë se kushtetutshmëria e Republikës nuk është e rëndësishme – ankesat e disa prej eksponentëve të pushtetit që e ka kap shtetin janë ligji në Kosovë!
Gjykimi është politik. Kështu ai nuk mund të jetë i drejtë. Kur nuk është i drejtë është i padrejtë. E gjykata që shqipton padrejtësi nuk mund të jetë gjykatë.
Të mos harrojmë se e njëjta i dënoi Frashërin, Atdheun, Egzonin dhe Adean pa asnjë provë përmes një vendimi skandaloz gjyqësor. Pra kjo gjykatë e ky gjykatës e kanë dëshmuar tashmë se shqiptimin e padrejtësisë e kanë punë të zakonshme.
Deputetët duhen liruar menjëherë nga ky proces i padrejtë. Aktivistët e dënuar duhen liruar menjëherë nga përndjekja që po u bëhet. “Padrejtësia kudo është kërcënim për drejtësinë çdokund”- Martin Luther King.