Ky është rezultati final i ndeshjes Itali – Portugali
Supersfida e mbrëmjes së sotme në Ligën e Kombeve, mes Italisë dhe Portugalisë është mbyllur në “paqe” pa gola. Portugalia kështu arrin të sigurojë vendin e parë në grup, ku do të luajë dhe një sfidë ndaj Polonisë, që do të vlejë më shumë për statistika. Italia ndërkohë, bëri një ndeshje të mirë, por nuk ia doli të kalonte luzitanët.
Një sfidë, që në pjesën e parë thuajse kishte vetëm një ekip në fushë. Italia shihej mjaft këmbëngulëse dhe pati shumë raste, ku Rui Patrisio shfaqi vlerat e tij dhe mbajti portën të paprekur. Kështu ekipet u drejtuan në dhomat e zhveshjes me rezultatin e bardhë pa gola.
Në fraksionin e dytë, kombëtarja axurre u pa disi më e lodhur dhe Portugalia e shtoi nivelin e saj të lojës. Donaruma shpëtoi 13 minuta përpara fundit të kaltrit, pas goditjes së Uilliam Karvajos, duke reaguar në mënyrë fantastike. “Axurrët” provuan deri në fund të gjenin golin, por nuk ia arritën me luzitanët, të cilët festojnë arritjen e vendit të parë, raporton “sportekspres”. Ndërkohë, në Ligën B, Turqia mori një goditje të rëndë brenda në shtëpi, teksa pësoi një disfatë ndaj Suedisë, duke zbritur në Ligën C. Ndeshja u vendos nga një gol i Grandkuist nga pika e bardhë. Suedezët tashmë do të provojnë të marrin kreun e grupit dhe të ngjiten në Ligën A, në “finalen” që luajnë ndaj Rusisë.
Rumania arriti një triumf të thjeshtë 3-0, ndaj Litunisë, e cila është kombëtarja e vetme në Ligën C që nuk ka marrë asnjë pikë. Tashmë rumunët afrohen me Serbinë dhe do të shpresojnë deri në ndeshjen e fundit për arritjen e vendit të parë.