Ky është serbi që akuzohet për krime lufte në Krushë të Vogël
Në Gjykatën Themelore të Prizrenit është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Speciale e Kosovës kundër Darko Tashiq për krime lufte.
Në aktakuzë është thënë se Tashiq ka qenë pjesë e forcave paramilitare serbe në fshatin Krushë e Vogël, më 25-27 mars të vitit 1999.
“Akuzat ndërlidhen me një sulm në fshatin Krushë e Vogël i cili filloi më 25 mars 1999 nga forcat serbe, përfshirë policinë dhe paramilitarët, gjatë të cilit popullata civile i ishte nënshtruar vrasjeve brutale dhe të paligjshme, trajtimit çnjerëzor, vuajtjeve të rënda, ndërrimit të lokacionit dhe zhvendosjes, ushtrimit të masave të frikësimit dhe terrorit, konfiskimit/grabitjes dhe plaçkitjes së pronës, përdhosjes dhe shkatërrimit të trupave të viktimave të agresionit serb, të gjitha këto të kryera gjatë një periudhe dy-ditore”, është thënë në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Gjatë sulmit në Krushë të Vogël, i cili zgjati dy ditë, u patën vrarë 113 civilë.
Në nëntor të vitit 2017, i akuzuari Tashiq është arrestuar në bazë të një udhërarresti ndërkombëtar pasi kishte tentuar të kalonte kufirin nga Serbia për në Kosovë dhe që nga ajo kohë ai është në paraburgim.