Ky është shtetasi i Shqipërisë që u arrestua sot nga Policia e Kosovës
Policia e Kosovës e ka arrestuar Aldo Majnishtan, 29-vjeçar, i kërkuar nga autoritetet e drejtësisë në Shqipëri nën akuzën se ka rrëmbyer dhe zhdukur Jan Prengën.
Siç raporton Shqiptarja, Jan Prenga, baba i tre fëmijëve u rrëmbye në 17 janar 2020 në Kamëz, disa ditë pasi ishte ndjekur dhe vëzhguar këmba këmbës. Ai u përlesh me rrëmbyesit, por ata mundën të fusnin në një makinë Range Rover me ngjyrë të bardhë dhe më pas e transportuan në kompleksin “Golden”, në pronësi të Altin Hajrit, personazh i skeduar për trafik të lëndëve narkotike.
Festim Bexhdili ishte kopshtar i resortit “Golden” në Shijakut, nga garazhi i të cilit u transportua trupi i Jan Prengës. SPAK administroi orë të tëra pamje filmike nga kamerat e resortit, të cilat konfirmuan lëvizjet e personave të përfshirë në ngjarje.
Dosja në ngarkim të grupit kriminal tashmë ka kaluar për gjykim në GJKKO ndërsa trupi i Jan Prengës ende nuk është gjetur.