Ky është taksisti nga Vushtrria që u vodhi pasagjerëve 2 mijë e 500 euro
Dje gjatë ditës është raportuar për një rast të grabitjes në Vushtrri, ku një taksist dyshohet se kishte vënë në kurth dy klientë të tij.
Ai bashkë me shokun e tij dyshohet se kishin planifikuar gjithë ngjarjen më parë, duke arritur kështu që dy pasagjerëve që deshën të shkojnë në Mitrovicë, t’ua grabisin 2 mijë e 500 euro. Por i gjithë mundi u shkoi huq, pasi u zbuluan nga Policia me ç’rast u arrestua taksisti i cili preu në besë klientët e tij.
Burimet e brenda Prokurorisë të sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari për grabitje që u arrestua pas punës hetimore të Policisë, është Fitim Imeri, 31-vjeçar.
E gjithë ngjarja ka ndodhur në rrugën “Viciana” të Vushtrrisë, kur Imeri kishte kërkuar nga pasagjerët që të ndalet dhe gjoja për të marrë edhe një udhëtar tjetër. Ky udhëtar doli të jetë shoku i tij, i cili posa hyri në veturë u hodhi sprej fytyrës dy klientëve.
Pas arrestimit, Imeri është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe ndaj tij është iniciuar rasti ‘Grabitje’.
Me vendim të prokurorit, atij i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.