Ky është tetori më i nxehtë në Evropë në 60 vitet e fundit
Temperaturat e mëngjesit që arritën 30 gradë Celsius në Spanjë gjatë tetorit mund të kenë kënaqur turistët, por po shkaktojnë shqetësim tek shkencëtarët.
Mërkuri po rritet shumë mbi normalen në të gjithë Evropën, nga Spanja në Suedi. Pas një vere të karakterizuar nga vapë të përsëritura, në Evropë mbizotërojnë temperatura të jashtëzakonshme edhe në fillim të vjeshtës, që është shenjë e përshpejtimit të ndryshimeve klimatike.
“Ky do të jetë tetori më i ngrohtë që nga viti 1961.”
“Muaji nuk ka mbaruar ende, por tashmë mund të themi me pothuajse siguri se do të jetë muaji më i ngrohtë (në Spanjë) që nga viti 1961, kur filluan të mblidheshin të dhënat”, tha Ruben del Campo nga shërbimi spanjoll i motit Aemet, duke shtuar se nëse merren parasysh të dhënat historike, ky tetor në Spanjë është më i ngrohti në njëqind vjet, transmeton FrontOnline.
“Një, dy ditë mbi 30 gradë është normale” për Spanjën, tha ai. “Por kaq shumë ditë, jo. Këto janë temperaturat e verës dhe ne jemi tashmë në vjeshtë.”
Të premten në mëngjes, resorti verior i San Sebastian regjistroi një temperaturë prej 30.3 gradë Celsius në orën 8:30 të mëngjesit, shumë mbi mesataren sezonale. Ditët e fundit, zjarret shpërthyen në Bask, ku ndodhet San Sebastiani, ndaj autoritetet ndaluan skarat dhe fishekzjarrët.
Vala e të nxehtit solli një fjalë të re në gjuhë
Vala e pazakontë e nxehtësisë solli edhe një fjalë të re në gjuhën spanjolle – “verono”, një kombinim i fjalëve verano (verë) dhe otono (vjeshtë). Del Campo tha se në dhjetë vitet e fundit ka pasur një “përshpejtim të ndjeshëm” të ndryshimeve klimatike dhe shkretëtirëzimin në rritje të vendit.
Sipas institutit Climate Central, Madridi, Barcelona, Valencia dhe Zaragoza janë ndër dhjetë qytetet evropiane më të prekura nga ngrohja globale sipas dëshmive nga 12 muajt e fundit.
Nga Spanja në Suedi
Franca fqinje, si Spanja, regjistroi një tetor më të ngrohtë se mesatarja. Dhe është ngrohtë në veriun e largët, në Suedi, ku u mat një rekord prej 19.5 gradë në qytetin jugor të Kristianstad të premten.
“Është temperatura më e lartë e regjistruar ndonjëherë në Suedi deri vonë,” tha Erik Hojgard-Olsen, një meteorolog në Institutin Suedez Meteorologjik dhe Hidrologjik (SMHI).
Në jugperëndim të Francës, e cila është përfshirë nga zjarret e mëdha pyjore këtë verë, Meteo France njoftoi të premten se temperaturat iu afruan 30 gradë. Kryeqyteti i Belgjikës, Brukseli, ka regjistruar një temperaturë maksimale prej 24 gradë, plot 10 gradë më e lartë se normalja për fund të tetorit.
“Është e vështirë të besohet se është fundi i tetorit”
Zyra britanike e Metologjisë njoftoi të mërkurën se Londra gëzonte një temperaturë të ngrohtë 20.5 gradë Celsius, që është më afër temperaturave që mbizotërojnë në fund të gushtit, jo në tetor.
Një front i ngrohtë nga jugperëndimi i kontinentit ka prekur edhe Gjermaninë, e cila po shijon temperaturat më shumë në përputhje me verën sesa fillimin e nëntorit.
“Është e vështirë të besohet se është fundi i tetorit, pasi pjesë të mëdha të Evropës (dhe Afrikës së Veriut) janë jashtëzakonisht të ngrohta”, shkroi Organizata Botërore Meteorologjike të Premten.
“Nuk është normale”
Ruben del Campo tha se disa njerëzve mund t’u pëlqejë fakti që nuk duhet të ndezin ngrohjen qendrore për momentin dhe se mund të shkojnë edhe në plazh. “Por në fakt pasojat nuk janë të mira,” tha ai, duke treguar për nivelet e ulëta të ujërave nëntokësore, që është një lajm i keq për Spanjën, bujqësia e së cilës furnizon Evropën me shumë fruta dhe perime.
Javën e kaluar, furnizimet me ujë nëntokësor spanjoll ranë në 31.8 për qind të kapacitetit, krahasuar me mesataren sezonale dhjetëvjeçare prej 49.3 për qind. Banorët dhe turistët që kanë shijuar plazhet e Barcelonës janë shprehur se janë të vetëdijshëm se moti kaq i ngrohtë ka një anë negative.
“Ne jemi vërtet të lumtur me këtë mot të ngrohtë, na pëlqen. Por nuk është normale,” tha Alicia Pesquera, një estetiste 43-vjeçare.
“Sigurisht që na shqetëson. Tani duhet të bjerë shi ose të paktën të jetë pak ftohtë,” tha Fernando Raibas, një turist nga Galicia.