Ky është urimi i Krasniqit për 248-vjetorin e Pavarësisë së ShBA-së
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, me rastin e 248-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), ka uruar ambasadorin Jeff Hovenier, ushtrinë dhe popullin amerikanë.
Ai ka thënë se “përkushtimi dhe mbështetja e palëkundur e treguar nga ShBA-të kanë frymëzuar shtetet anembanë globit, përfshirë Kosovën, që të nisin një rrugë të re – atë të lirisë dhe të zhvillimit”.
“Në përvjetorin e 248 të Pavarësisë së ShBA-së, u shpreh urimet e përzemërta stafit të Ambasadës Amerikane në Republikën e Kosovës, ambasadorit Hovenier, pjesëtarëve të Ushtrisë Amerikane në Kosovë dhe të gjithë qytetarëve amerikanë. Para se gjithash, kjo është një ditë që e feston e gjithë bota e lirë dhe demokratike, krah për krah me Shtetet e Bashkuara. Përkushtimi dhe mbështetja e palëkundur e treguar nga ShBA-të kanë frymëzuar shtetet anembanë globit, përfshirë Kosovën, që të nisin një rrugë të re – atë të lirisë dhe të zhvillimit. Vlerat e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe barazisë, të promovuara nga ShBA-të, shërbejnë si udhëzues frymëzimi për të gjithë ato shtete që kërkojnë të ndërtojnë një të ardhme më të ndritur. Gëzuar 4 Korrikun!”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.