Ky është urimi i Mustafës për 12-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe bashkatdhetarëve tanë jashtë vendit ua ka uruar 17 Shkurtin, Ditën e Shpalljes së Pavarësisë.
Me këtë rast, ai ka thënë se sot kujtojnë shumë gjenerata që punuan dhe janë flijuar për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë.
“Arkitektin e pavarësisë, presidentin historik, Ibrahim Rugova, komandantin e UÇK-së, Adem Jashari dhe shumë luftëtarë që u flijuan në altarin e lirisë. Vlerësojmë përpjekjet e pasluftës për ngritjen e institucioneve demokratike dhe përkrahjen e pareshtur të miqve tanë ndërkombëtarë, SHBA -së dhe BE-së. Pavarësia mishërohet edhe me kontributin e tyre ndërkaq Kosova frymëzohet të bëhet shtet i fortë, demokratik dhe i dashur për qytetarët e saj”, ka shkruar Mustafa në “Facebook”.