Ky është urimi i presidentit Meta për festën e Krishtlindjes
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka përcjellë urimet më të mira besimtarëve të krishterë për Festën e shenjtë të Krishtlindjes.
Gjatë vizitës që i ka bërë kryepeshkopit Anastas Janullatos, Meta ka përçuar mesazhin e paqes dhe mirësisë ndërmjet njerëzve.
“Le të sjellë kjo ditë më shumë paqe, gëzime dhe lumturi për të gjithë. Sot në këtë ditë le të mendojmë më shumë për të gjithë ata që janë në vështirësi. Kjo është një ditë që në fton të gjithëve të shtojmë urtësinë edhe mençurinë, që Krishtlindjet e tjera të na gjejnë jo vetëm më të gëzuar e të bashkuar, por edhe të na gjejnë me negociata të çelura për anëtarësimin në BE”.
Gjithashtu, dua të vlerësoj punën e jashtëzakonshme që bëjnë komunitetet e besimit në vendin tonë, jo vetëm për besimin te Zoti, jo vetëm për besimin tek e drejta, tek e mira, te paqja, por mbi të gjitha atë punë të shkëlqyer dhe atë shembull që japin komunitetet tonë duke e rritur çdo ditë harmoninë ndërfetare në vendin tonë dhe kjo harmoni duhet të reflektojë kudo e në radhë të parë duhet të reflektojë në politikë”, ka thënë presidenti Meta.
Po ashtu, Meta ka vizituar bashkësinë fetare “Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë” për t’u uruar personalisht festën e shenjtë të Krishtlindjeve kryetarit të kësaj bashkësie, pastor Ylli H. Doçi si dhe drejtuesve e besimtarëve ungjillorë.