Ky është urimi i presidentit të Italisë për 14-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 17 Shkurtit, ditës së pavarësisë së shtetit, ka pranuar telegram urimi nga presidenti i Italisë, Sergio Mattarella.
Në këtë telegram urimi, presidenti Mattarella, ka thënë se Italia do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën.
“Në vazhdën e miqësisë dhe afërsisë që bashkon vendet tona, Italia do të vazhdojë ta mbështes Kosovën në përpjekjet e saj për konsolidimin e institucioneve demokratike, në një perspektivë evropiane që urojmë se do të jetë gjithnjë e më e prekshme. Në këtë frymë do të vazhdojmë të punojmë për ta sjellë Kosovën dhe shoqërinë e saj civile më afër Evropës, veçanërisht brezat e rinj”, është thënë në telegramin e presidentit Mattarella.
Presidenti Mattarella ka thënë se Italia do të vazhdojë të jetë në ballë sa i përket paqes dhe sigurisë në Ballkan.
“Këtë e dëshmon roli ynë në misionin e NATO-s, KFOR-it të cilin do të vazhdojmë ta garantojmë pa iu shmangur angazhimeve tona”, është thënë përveç tjerash në telegramin e presidentit të Italisë, Sergio Mattarella.