Ky është vendimi i lirimit të Ukshin Hotit nga Burgu i Dubravës, i nënshkruar nga drejtori i burgut Aleksandër Rakoçeviq
Ish i burgosuri politik, ish ushtari i UÇK-së, Mehmet Memqaj i cili për një kohë të gjatë ka ndarë qelinë e burgut me Ukshin Hotin, ka publikuar në “Facebook” një vendim (reshenje) të lirimit të Ukishin Hotit.
Vendimi mban datën 16 maj 1999 dhe është i nënshkruar nga drejtori i atëhershëm i burgut të Dubravës, Aleksandër Rakoçeviq.
Ish-i burgosuri politik, Ukshin Hoti, i liruar nga burgu i Dubravës më 16 maji i vitit 1999, ende figuron i zhdukur.
Ukshin Hoti nga gjykatat serbe ishte dënuar në vitin 1994 me pesë vite burg për veprimtari armiqësore ndaj shteti serb. Hoti përfundonte burgun po këtë ditë, por nga praktikat e mëhershme dhe rregullat e burgut ai duhej liruar një ditë më herët (ditë pune në administratën shtetërore). Dhe me një vendim të nënshkruar nga drejtori i burgut në atë kohë Aleksandër Rakoçeviq, ai është liruar më 16 maj – ditë e diel. Pra një ditë jo e zakontë për t’u liruar nga burgjet.
Zakonisht të burgosurit kur i janë ofruar ditët e lirimit, ai është liruar një ditë më herët – në ditë pune për arsye se administrata nuk punon në ditë vikendi dhe kështu ka ndodhur edhe nga administrata e burgjeve tjera pas përfundimit të luftës. Por me rastin e Ukshin Hotit kjo ka ndodhur e kundërta.
Vendimi për lirimin e Ukshin Hotit mban nënshkrimin e Aleksandër Rakoçeviq – drejtor i Burgut në Dubravë dhe përgjegjës në këtë burg. Përpos gardianëve dhe ish të burgosurve serbë të cilët kanë kryer krime ndaj të burgosurve shqiptarë 16-24 maj 1999 ishin edhe Mirolub Vidiq (Miki)- shef (komandant) i shërbimit të sigurimit në burg, Zhivkoviq Aleksandar- zëvendës shef i shërbimit të sigurimit në burg dhe Branko Komatina – Mbikëqyrës i rojeve të burgut i cili e nxori personalisht profesorin nga dhoma e burgut.
Nga dita e lirimit të Ukshin Hotit 16 maj 1999 e deri më sot nuk është marrë askush në pyetje dhe nuk ka dhënë askush përgjegjësi për zhdukjen e tij.
Familja Hoti dhe Kosova ende pret drejtësi për fatin e veprimtarit Ukshin Hoti por edhe të shumë qytetarëve të Kosovës të cilët janë kidnapuar me forcë dhe zhdukur nga policia dhe ushtria serbe.