Ky është vlerësimi i Sejdiut për Rugovën në 13-vjetorin e vdekjes së tij
Ish-presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka përkujtuar ish-presidentin Ibrahim Rugova, në 13-vjetorin e vdekjes së tij.
Sejdiu në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se politika paqësore Rugovës ka njohur dialogun, bashkëbisedimin dhe respektin për secilin qytetar të këtij vendi, pavarësisht përkatësisë partiake apo fetare.
Postimi i plotë i Sejdiut:
Në trembëdhjetë vjetorin e vdekjes së presidentit historik të Republikës së Kosovës, themeltarit të shtetit të pavarur të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës, në memorien tonë individuale e kolektive, shihet sa e thellë është dhembja që e ndjejmë, por njëkohësisht edhe e krenaria për të dhe për veprën e tij.
Rrugëtimin e tij të madh prej udhëheqësi të rezistencës paqësore, për domosdonë e lirisë e nisi në vitin 1989, në këtë vit të madh të kthesës po kështu të madhe.
Është pikërisht kjo kthesë, dhe pikërisht vitit 1989 i cili prodhon vitin 1998-1999, dhe 17 shkurtin e vitit 2008.
Pa ndalë, e pandashëm, në çdo përpjekje, në çdo hap të tij mision i pashmangshëm i tij ishte trinomi: Liri, Pavarësi dhe Demokraci.
Në rrethana të vështira, njëkohësisht edhe tejet të rrezikshme legalizoi dhe udhëhoqi vullnetin e qytetarëve të këtij vendi.
U vu në ballë të rezistencës dhe luftës së mbijetesës, duke dhënë shembullin e vetëorganizimit dhe vetëmbijetesës si askund tjetër, me qëllim të mbajtjes së njerëzve dhe kujdesin e përhershëm për ta.
Pikërisht, ky vetëogranizim dhe vetëfunksionim si në rrafshin politik, ekonomik, dhe kulturor mundësoi dhe fuqizoi edhe përpjekjen e madhe, në luftën për arritjen e Lirisë.
Projekti i tij, i bazuar në trinomin e madh u bë projekt nacional.
Ibrahim Rugova paqësor e paqedashës, u bë i pranueshëm si në rrafshin kombëtar, po ashtu edhe në atë ndërkombëtarë.
Politika paqësore e tij njohu dialogun, bashkëbisedimin dhe respektin për secilin qytetar të këtij vendi, pavarësisht përkatësisë partiake apo fetare.
Ibrahim Rugova u identifikua me Kosovën, njësoj siç Kosova identifikohej, dhe identifikohet edhe sot me të.
Identifikim e njohje kjo që ndërkombëtarizoi dhe fuqizoi Kosovën në arenën ndërkombëtare.
Kudo ku shkeli këmbë e tij, bëri miq për Kosovën. Duke prezantuar kështu edhe traditën e madhe të mikpritjes të shoqërisë sonë, dhe duke u treguar si një nacionalist i madh.
Kurdo dhe kudo e përsëriste testamentin e tij politik e kombëtar “Një Kosovë e pavarur e demokratike e inkuadruar në Bashkim Evropian e në strukturat euroatlantike, në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është vullneti i popullit dhe do të qetësojë këtë pjesë të Evropës e të botës”.
Sot, në trembëdhjetë vjetorin e ikjes së Ibrahim Rugovës, duhet t’i thërrasim zërit të arsyes dhe përgjegjësisë individuale e kolektive në ruajtjen dhe fuqizimin e testamentit të tij.
/Epoka e re/
https://www.facebook.com/fatmirsejdiu.ks/photos/a.10151210190265634/10161324076505634/?type=3&theater