Ky grup kriminal u arrestua dje në Prishtinë, dyshohet për grabitje të armatosura
Një grup kriminal, i përbërë prej katër personash, është arrestuar të hënën mbrëma në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se katër të dyshuarit janë:
Arton Sekiraqa, 34-vjeçar, Flamur Mula, 34-vjeçar, Xhevdet Salihu, 41-vjeçar, Fitim Munishi, 32-vjeçar.
Sekiraqa, Mula, Salihu dhe Munishi dyshohen për një sërë grabitjesh nën kërcënimin e armëve, kryesisht në pompa derivatesh në rajonin e Prishtinës, por edhe në shitore e vende të tjera. Ata ia kishin mësyrë të largohen nga shteti i Kosovës.
Të dyshuarit janë arrestuar dhe janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar lidhur me rastin nga organet e hetuesisë. Ndërkohë policia, në koordinim me Prokurorinë, ka kryer bastisje në pronat e të dyshuarve, ku ka gjetur dhe sekuestruar disa prova materiale për rastet në të cilat dyshohet se janë përfshirë.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dërgohen në mbajtje dhe ata do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Grabitje’.