KY LIBËR JUA KUJTON KOSOVËN NË KOHËN E LUFTËS
(Izet Sarajliq, “Përmbledhja sarajevase e luftës”, “Armagedoni”, Prishtinë, 2017)
Izet ABDYLI
Mbase koincidencë, që Izeti të shkruajë për Izetin. Izeti shqiptar për Izetin boshnjak. Izeti poet (këtë konstatim e nxori poeti Adem Gashi në përurimin e librit tim të fundit) për Izetin poet. Izet Abdyli nga Kosova për Izet Sarajliqin nga Bosnja. Mbase koincidencë që po të dy përjetuam luftën nga i njëjti pushtues serb, nga e njëjta makineri vrastare e Millosheviqit. Mbase koincidencë, por pa u parë e njohur asnjëherë mes vete, të dy shkruam vargje në flakët e luftës. Mbase koincidencë që po të dy i shpëtuam luftës dhe vargjet e tona e panë dritën e botimit pas luftës. Izeti i Bosnjës i botoi vargjet në librin “Përmbledhja sarajevase e luftës”, ndërsa Izeti i Kosovës i botoi poezitë e luftës në librin “Kur vjeshta shkund pikëllimin” dhe ditarin e luftës “Në mes jetës dhe vdekjes”.
T’i kthehemi tani librit të Izet Sarajliqit.
Ka shumë vite që lexuar disa nga vargjet e poetit Izet Sarajliq në shtypin shqiptar të kohës dhe jam impresionuar me vargjet e tij. Andaj, kur kolegu im i punës, Berati, më tregoi se me shtëpinë e vet botuese “Armagedoni” do ta botojë “Përmbledhjen sarajevase të luftës”, më gëzoi pa masë, madje isha kureshtar ta kem në duar sa më parë e ta lexoj. Dhe ja sot, në këtë fundjanar të acartë, arrij ta lexoj me një frymë dhe vazhdoj ta rilexoj këtë libër mjaft interesant. Pothuajse në të gjitha poezitë shpaloset shpirti human i poetit, dashuria për njerëzit, miqtë e tij dhe shqetësimi për fatin e jetës së tyre në katrahurën e luftës. Por ka edhe vargje ku ndihet zëri protestës i poetit ndaj miqve të dikurshëm që tani kanë hyrë në radhët e bandave vrastare. Fati i njeriut të luftës, i cili mundohet të mbijetojë, na vjen përmes këtyre vargjeve herë në formë monologu e herë si dialog, ku poeti arrin që komunikimin krijues ta derdhë në vargje herë me nota nostalgjie e herë me zë proteste ndaj një zezone së cilës i bëhen krah edhe shkrimtarët serbë si: Qosiqi, Maksimoviqi, Karaxhiçi, Beqkoviqi etj. Në shumicën e vargjeve të tij përkushtuese flet me admirim për personalitete të shquara të cilët, pavarësisht prej goditjeve, rreziqeve, përçmimit, arrijnë të qëndrojnë vertikalisht. Me një varg të thjeshtë që rrjedhë krejt spontanisht në dukje, jepen mesazhe të fuqishme. Vargjet e tij dalin nga ambiente e rrethana të pazakonshme. Ato shkruhen në Sarajevën e rrethuar, në bodrumet e shtëpive, nën krismat e armëve të dorës dhe artilerisë. E zëri i poetit nuk heshtë. Muza e tij shpërthen muret e nëntokës, shpërthen rrethimin e hekurt të kolonave vrastare. Ai firon i gjallë dhe drita këtyre vargjeve rrezaton më bukur se kurrë me lirinë e Sarajevës. Ëndrra e poetit del më e fuqishme se tytat vrastare dhe ai arrin t’i gëzojë frytet e kësaj lirie. Akëcili që ka përjetuar luftën, di që në mendjen dhe shpirtin e tij ka emocione e kujtime që nuk shlyhen dot, por dhuntia e poetëve është që ato ngjarje e kujtime i përjetësojnë në vargje. E lufta është e njëjtë si në Bosnjë, si në Kosovë. Emblemë të përbashkët kanë krimin, vrasjen, djegien, plaçkitjen. Pra, historia përsëritet me imazhet e trishta, vetëm personazhet ndërrojnë.
Duke lexuar këtë libër që është shkruar në Sarajevë, shpeshherë e mendon veten se je në Kosovë, ngaqë janë të njëjtit (anti)njerëz, të njëjtat formacione paramilitare, është e njëjta makineri vrastare. Prandaj, si lexues i këtyre vargjeve, porosia ime për ju është: lexojeni këtë libër që ta kujtoni Bosnjën, që ta kujtoni Kosovën. Me këtë përmbledhje poetike Izet Sarajliqi ka skicuar episode të një lufte të pakuptimtë që fundos ëndrrat e pafajshme të mijëra njerëzve të pafajshëm. Thjesht, kjo mund të lexohet edhe si një kronikë poetike e luftës.