Ky libër t’i mëson “dy copa të atdheut”

03 nëntor 2020 | 19:38

 

Rrahman Paçarizi

Libri studimor/eseistik i Arben Veselajt, “Triptikon arbëresh”, botuar nga shtëpia botuese “Armagedoni”, është një udhëtim në kohë. Nuk është udhëtim në kohë vetëm pse sjell në këtë libër një degë të shkëputur ç’prej më se pesë shekujsh të shqipes e të shqiptarëve, por mënyra se si ai shkruan e rrëfen, mënyra se si i rendit faktet, mënyra se si i rikthehet historisë për ta përshkruar edhe të tashmen e prapë e rimerr historinë, ta krijon ndjesinë e udhëtimit në kohë.

Kur e kam lexuar këtë dorëshkrim të, tashmë këtij libri, më kanë ndodhë tri fenomene: 1. Disa herë më është dashur t’u kthehem disa faqeve përsëdyt, pasi më rrëmbente rrëfimi dhe shpesh nuk arrija me parashiku asgjë – parashikimet më dilnin huq; 2. Jam kthy në kohë dhe kam bashkëjetu, para së gjithash, me De Radën e me Skiroin, pikërisht në sheshin e Shënmitrit e të fshatrave të tjera arbëreshe të Sicilisë; dhe 3. E kam lakmuar Arbenin që ka shkru diçka që kam planifiku së paku nja tri vjet.

Krijimin që arrin me i shkaktu këto kokëçarje e kënaqësi, unë e përjetoj si kryevepër. E, ky libër ka histori, letërsi, politikë, peizazh… kulmi është shlyerja e kufijve zhanrorë që Arben Veselaj arrin ta bëjë me lehtësi. Ai jep argumente kur flet për historinë, për letërsinë e për historinë e letërsisë. Ai rrëfen artistikisht kur përshkruan arbëreshët dhe “Arbërinë” dhe, edhe kur i bën të dyja, aq bukur i shkrin në një sa të bën me mendu që nuk ka kufij ndërmjet diskursesh.

Kush s’ka qenë në Sicili e Kalabri, duhet me e lexu këtë libër për me i njoftë këto “dy copa të atdheut” dhe njerëzit e tyre, e kush ka qenë në Sicili e Kalabri, duhet me e lexu këtë libër për me i rindërtu fragmentet e mbajtura mend në një pamje të vetme dokumentare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ç’do të thotë të jesh shkrimtar në Prishtinë? E dashur…