
“Ky mund të ketë qenë tërmeti i madh që prisnim në Stamboll”, ekspertët: Rreziku tashmë ka rënë ndjeshëm
Pas tërmetit me magnitudë 6.2 që goditi Stambollin, ekspertët turq tërheqin vëmendjen me deklarata të ndryshme për rrezikun e një tërmeti të madh në Stamboll.
Ndërkohë që disa e konsiderojnë këtë tërmet si “shfryrje tektonik” dhe reduktim të rrezikut, të tjerë janë më të kujdesshëm në analizat e tyre.
Prof. Dr. Sener Usumezsoy: “Nuk ka më rrezik për tërmet të madh në Marmara”
Sipas Prof. Dr. Sener Usumezsoy, tërmeti në Stamboll ndodhi në të njëjtin segment të Silivri Fayi ku në vitin 2019 kishte goditur një tërmet prej 5.7 ballësh. Ai thekson se ky është i vetmi segment ende aktiv në Marmara, ndërsa fletët e tjera janë thyer tashmë dhe nuk përbëjnë më rrezik. “Kjo linjë mund të prodhojë edhe një tjetër tërmet prej 6.2 ballësh, por jo më shumë dhe nuk është çështje ditësh apo muajsh”, tha ai. Ai thekson se nuk ka potencial për një tërmet që të arrijë Adalar Fayi apo të ndikojë direkt në Stamboll.
Prof. Dr. Mahmut Bilgehan: “Ky mund të ketë qenë tërmeti që prisnim”
Nga ana tjetër, Prof. Dr. Mahmut Bilgehan nga Universiteti i Kastamonusë, thotë se tërmeti 6.2 ballësh mund të jetë i ashtuquajturi “tërmeti i madh” që pritej për Stambollin. Ai vlerëson se pas këtij tërmeti, probabiliteti i një tërmeti mbi 7 ballë është ulur ndjeshëm. “Ne nuk prisnim një tërmet prej 8 apo 9 ballësh, por diçka mes 6 dhe 7. Ky mund të ketë qenë ai”, u shpreh profesori.
Megjithatë, Bilgehan thekson se ende ka një segment të pashkëputur në Kumburgaz me gjatësi rreth 60 kilometra, që mund të prodhojë një tërmet tjetër në të ardhmen. “Stresi u shkarkua në një zonë, por mund të jetë transferuar në një tjetër”, paralajmëron ai.
Të dy ekspertët janë të një mendimi se qytetarët nuk duhet të bien pre e panikut. Prof. Usumezsoy thekson se pasgoditjet do të jenë të moderuara dhe se nuk pritet dëm serioz në zonat si Avcilar apo Çekmece, përveç rrezikut nga rrëshqitjet e dheut.