Ky popull mërzitet nga pushimet
Për abdikimin e perandorit nga froni më 30 prill, japonezët do të shijojnë një periudhë dhjetëditore pushimesh, por në vendin e njohur për “varësinë” ndaj punës, jo të gjithë po hidhen përpjetë nga gëzimi.
“Që të jem i ndershëm, nuk e di sesi do ta kaloj kohën kur papritur të mbërrijnë 10 ditë pushime. Nëse do që të udhëtosh, gjithandej do të jetë plot me njerëz që bëjnë të njëjtën gjë dhe kostoja e rrugëtimeve turistike është rritur. Nuk e di, mund të përfundoj nga prindërit”, ka thënë Seishu Sato, punonjës finance.
Një sondazh i realizuar nga e përditshmja “Asahi Shimbun” ka treguar se 45 për qind e japonezëve ndihen të pakënaqur me “pushimet e zgjatura”. Ata qe janë shprehur të lumtur nga pushimet e gjata ishin vetëm 35 për qind.
“Unë nuk do të marr dot asnjë ditë pushim. Përkundrazi, do të jem super i zënë”, ka thënë Takeru Jo, punonjës picerie.
Shumë presin që Tokio dhe qytete të tjera të mëdha të vendit të zbrazen, pasi mjaft japonezë mund të përfitojnë nga rasti për të ndërmarrë një udhëtim jashtë kufijve.
Ndërkohë, pavarësisht nivelit të lartë të atyre, që më shumë sesa të gëzuar janë bezdisur nga ideja e pushimeve shtesë, familja mbretërore vazhdon të mbetet mjaft popullore në vend. Ndjesia pozitive për të, që prej vitit 2003 ka ardhur vetëm në rritje. /Top Channel/