Ky do të jetë moti për pesë ditët e ardhshme në Kosovë
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se gjatë pesë ditëve të ardhshme temperaturat maksimale në vendin tonë do të lëvizin nga 12 deri 20 gradë celsius.
“Do të mbajë mot me diell dhe pjesërisht i vranët. Kjo gjendje stabile e motit do të mbretërojë si rezultat i masave të ngrohta të ajrit me origjinë nga Afrika Veriore. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 3-6 gradë celsius, ndërsa maksimalet e ditës për këtë periudhë të parashikimit, parashihet të lëvizin ndërmjet 12-20 gradë celsius. Dita e mërkurë parashihet t’i shënojë vlerat e temperaturave maksimale, ndërsa të premten do të shënohen temperaturat më të ulëta”, është thënë në njoftimin e IHMK-së.
Sipas këtij instituti, shtypja atmosferike do të shënojë ngritje graduale, pasi do të fryjë erë kryesisht nga juglindja deri të enjten me shpejtësi deri 6m/s, derisa ditën e premte parashihet një destabilizim i përkohshëm i motit, duke krijuar kushte për rënie të temperaturave dhe reshje shiu.