La Liga me postim të veçantë për Muriqin
Skuadra e Mallorcas e ka siguruar mbijetesën në La Liga edhe për edicionin tjetër. Lojtari kyç i kësaj skuadre ishte futbollisti i Kosovës, Vedat Muriqi.
Sulmuesi “dardan” realizoi pesë gola dhe ndihmoi edhe në forma të tjera. 28-vjeçari kontribuoi edhe në fitoren e fundit dhe vendimtare ndaj Osasunës duke asistuar në golin e parë. E paraqitjen e sulmuesit nga Prizreni, por edhe kontributin e tij përgjatë këtyre muajve, e ka përshëndetur edhe La Liga përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Duartrokitja e lumturisë”, ka shkruar La Liga në llogarinë e saj zyrtare në “Instagram”, duke e postuar njëkohësisht një fotografi të Muriqit, i cili po festonte së bashku me tifozët në xhiron e fundit të sezonit. Sulmuesi shqiptar u transferua në ekipin ishullor gjatë janarit në formë huazimi nga Lazio.