La Liga ngre sot siparin

16 gusht 2019 | 14:56

Edhe pak orë dhe në Spanjë do të nisë lufta për të shkurorëzuar Barcelonën. Në fakt, janë katalanasit ata që do të hapin sezonin e sivjetshëm të kampionatit spanjoll, teksa sot në mbrëmje (21:00) do të luajnë në tokë baske kundër Atletikos së Bilbaos. Blaugranat e nisin si favoritë dhe jo vetëm sepse kanë tredhëmbëshin Grizman-Mesi-Suarez.

Atyre mund t’u bashkohet së shpejti Nejmar, teksa Ernesto Valverde ka në stol edhe dikë të kalibrit të Dembelesë. Kurorën e Barçës do ta kërkojë Reali i Madridit që do të ketë një Hazard më shumë në skuadër që do të udhëheqë “Los BLancos” falë edhe golave të Joviçit. Edhe në anën tjetër të Madridit nuk bëjnë shaka.

Ardhja së shpejti e Rodrigos dhe sidomos cilësia e treguar nga Zhoao Feliks në miqësoret e para e qetësojnë disi Pablo Simeonen. Talenti portugez ishte shumë pranë Sitit të Guardiolës, por Atletiko u tregua më e shpejtë, duke paguar 126 milionë eurot dhe duke siguruar një futbollist me të ardhme të garantuar. Për më shumë informacione pyesni Juventusin dhe Mauricio Sarrin.

NË GJUETI TË TITULLIT

Siç thamë, Barcelona ka një fillim më se të komplikuar sot në mbrëmje në “San Sebastian”. Më pas stafeta do t’i kalojë Realit të Zidanit. Pas një sezoni të dështuar, “Los Blancos” do të kërkojnë revansh, jo vetëm në kampionat, por edhe në Europë. Aventura e tyre do të nisë nesër në transfertën e Vigos kundër Seltës. Me të hënat që janë kthyer “mollë” e ndaluar në Spanjë, Atletiko do ta mbyllë këtë javë të parë të dielën në 22:00 me sfidën kundër Getafes në “Wanda Metropolitano”.

JO VETËM TRE

Kampionati spanjoll nuk janë vetëm dy ekipet e Madridit dhe Barcelona. Këtë sezon do të tentojë të thotë fjalën e saj edhe Sevija, e cila vjen nga një sezon merkatoje ku u shpenzuan thuajse 150 milionë euro në blerje, teksa stoli është në duart e Hulen Lopetegit. Valencia, fituese në fuqi e Kupës së Mbretit, kandidohet për një sezon prej protagonisteje. Megjithëse janë fare pranë shitjes së bomberit Rodrigo, në “Mestalla” janë besimplotë për sezoni e ri.

MBRETËRESHË SHPENZIMESH

Kampionati spanjoll, përveç joshjes tipike, këtë vit do të mbajë edhe kurorën e “xhepshpuarit” në Europë, falë 52 për qind të parave të investuara që kanë ardhur nga klubet spanjolle. Në total, 20 ekipet iberike kanë shpenzuar 1.17 miliardë euro për t’u përforcuar në kuadër të sezonit që nis sot në mbrëmje.

Zhoao Feliks me 126 milionë euro, Grizman (120 mln €) Hazard (100 mln €) janë vetëm disa goditje që mund të dalin në plan të dytë nëse PSG shet Nejmarin për 250 milionë euro (kaq pretendon Al Khelaifi). Po flasim për Spanjën, froni i mbretëreshës së merkatos të së cilës nuk cenohet. /PanoramaSport/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një skuadër zjarrfikësish e gjitha e përbërë nga femra. Është…