Labinotë Demi-Murtezi i bashkohet Lëvizjes Vetëvendosje
Labinotë Demi-Murtezi është bërë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje. Lajmin e ka bërë me dije përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” lideri i kësaj partie, Albin Kurti.
“Labinotë Demi-Murtez është letrare dhe albanologe, ka përfunduar Letërsinë dhe Gjuhën Shqipe në Fakultetin Filologjik në Universitetin e Prishtinës. Ajo u anëtarësua në Lëvizjen tonë. Me prejardhje është nga Gjilani ku ka mbaruar shkollën fillore dhe të mesme (mjekësi e përgjithshme). Vazhdimisht është kyçur në jetën publike, me aktivitete kulturore e shkollore si nxënëse, me ç’rast ka qenë edhe kryetare e të gjitha shkollave të mesme të qytetit”, ka shkruar Kurti.
Kurti ka theksuar se pastaj, si studente ka qenë aktiviste e shoqërisë civile për të drejtat e grave. “Ka marrë pjesë në disa kurse e trajnime specialistike, ka qenë asambliste e Kuvendit Komunal në Gjilan, Drejtore e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, e mandej edhe deputete në legjislaturën e kaluar të Kuvendit. Znj. Labinote dëshiron të kontribuojë për daljen nga kriza e shtetit dhe për ndryshimet progresiste të cilat i sheh të mundshme vetëm me Vetëvendosjen e të domosdoshme për Kosovën”, ka shkruar Kurti.