Laboratori i dytë kinez do të hyjë në atmosferë korrikun e 2019-s
Një laborator i dytë hapësinor kinez pritet të hyjë në atmosferën e Tokës në korrik të vitit 2019, për t’u shkatërruar në mënyrë të kontrolluar.
Lajmi vjen 6 muaj pasi laboratori i parë hapësinor i Kinës, “Tiangong 1” pushtoi lajmet ndërkombëtare kur doli nga orbita dhe ra në mënyrë të pakontrolluar. Ai ra në jug të oqeanit Paqësor në prill, duke u djegur kryesisht në atmosferë, përpara se të binte në ujë.
Laboratori hapësinor “Tiangong 2” ka qëndruar në orbitë për dy vite, pasi u lëshua në vitin 2016. Sipas medies shtetërore kineze, ai ka çuar deri në fund 14 projekte dhe mbante një ngarkesë 600 kg.
“Tiangong-2 ka përmbushur misionin gjatë periudhës dyvjeçare dhe të gjithë parametrat janë tashmë në gjendje të mirë”, kanë thënë zyrtarët e agjencisë hapësinore kineze.
Sipas tyre, ai do të qëndrojë në orbitë deri në korrik të 2019-s, e më pas do të nxirret prej saj në mënyrë të kontrolluar.
Në vitin 2016, dy astronautë qëndruan një muaj në “Tiangong 2”, në kuadër të misionit hapësinor më të gjatë që Kina kishte kryer ndonjëherë, e sipas medies shtetërore kryen eksperimente të lidhura me mjekësinë, fizikën dhe biologjinë.
“Tiangong 2” ka kaluar në orbitë më pak se gjysmën e kohës së paraardhësit të tij, “Tiangong 1”, që u lançua në shtator të vitit 2011 dhe qëndroi për 5 vite funksional, përpara se të dilte nga kontrolli në mars të 2016-s./tch/