
Laboratori i mikrobiologjisë klinike do ta fuqizojë diagnostikën molekulare
Në shërbimin klinik të mikrobiologjisë në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK) tani kryhen të gjitha analizat që sillen nga të gjitha klinikat e kësaj qendre.
Nga tre mikrobiologë dhe laborantë sa kishte në fillimin e ofrimit të shërbimeve, mikrobiologjia operon sot me 6 mikrobiologë dhe 11 teknikë laborantë që e realizojnë punën në mënyrë ekipore.
Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Klinikës së Mikrobiologjisë, Greta Lila-Azizi, ka thënë se mikrobiologjia klinike ka një rol shumë të rëndësishëm në mjekësi dhe në diagnostikë.
“Mikrobiologjia klinike i takon pjesës së diagnostikës, kështu që shërbimi i mikrobiologjisë klinike bënë diagnozën e infeksioneve të ndryshme, pra identifikimin e patogjenëve të ndryshëm, bënë testimin e ndjeshmërisë së atyre patogjenëve ndaj antibiotikëve, në mënyrë që të dihet se cili është antibiotiku më efektiv për trajtimin e atij infeksioni, më pas merr pjesë në kontrollen e infeksioneve spitalore. Gjithashtu, kjo ndikon në uljen e ditëve të qëndrimit të pacientëve në spitale, kostos së trajtimit, pra kundër rezistencës antimikrobike dhe në përgjithësi i kontribuon përmirësimit të cilësisë së shërbimeve shëndetësore tek pacientet e spitalizuar në QKUK”, ka thënë Lila-Azizi.
Ndërsa, sa i përket bashkëpunimit me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK) ajo ka thënë se është një lehtësim për arsye të komunikimit më të afërt që kanë me këtë institucion.
“Pra edhe klinicisti dhe mikrobiologu janë partner në diagnostikimin e infeksioneve të ndryshme. Dhe ne jemi në kontakt të vazhdueshëm çdo ditë me klinicistët që të jemi më afër tyre të japim ato imputet tona, kontributin tonë edhe me IKSHPK sigurisht sepse kemi komunikim shumë të mirë, bashkëpunim profesional dhe kolegial”, tha Lila-Azizi.
Ajo ka bërë të ditur se në shërbimin e mikrobiologjisë kryhen të gjitha analizat që sjellën nga të gjitha klinikat Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
“Sjellën përmes personelit shëndetësor- infermiereve, janë mostra të ndryshme si gjaku urina,…ka një gamë të gjerë të analizave ku përveç metodave konvencionale kemi dhe sistemet e automatizuara të identifikimit dhe testimit të ndjeshmërisë e po ashtu dhe pajisjet e avancuara molekulare pra që i takojnë diagnostikës molekulare”, ka thënë Lila-Azizi për Ekonomia Online.
Fillimisht kur është themeluar laboratori i Mikrobiologjisë Klinike, ajo ka theksuar se kishin qenë vetëm tri mikrobiologë dhe laborant.
“Por më pas normalisht me ngritjen e kapaciteteve konsolidimin e buxhetit dhe furnizimin e vazhdueshëm me reagjent sot jemi 6 mikrobiologë dhe 11 teknik laborant që e realizojmë punën në mënyrë ekipore”, tha Lila-Azizi.
Sipas saj suksesi i këtij laboratori është realitet fal stafit, teksa thotë se kryejnë një punë shumë profesionale në shërbim të pacientëve të QKUK-së.
“Për të ardhmen uroj që të bëhet më e mira për ngritjen dhe fuqizimin e diagnostikues, sidomos asaj molekulare sepse qëllimi është që të kemi rezultate më të shpejta t’iu komunikojmë më shpejt klinicistëve dhe të jemi pranë tyre në dobi të pacienteve dhe shëndetit të pacienteve, ky laborator të jetë i kompletuar ashtu siç e ka rajoni dhe bota – laboratorin e mikrobiologjisë klinike brenda nivelit terciar të jetë në shërbim të të gjitha klinikave”, tha Lila-Azizi.
