Laboratori në Wuhan, bashkëpunim franko-kinez

08 maj 2020 | 09:30

Kina tha se bio-laboratori i saj në Wuhan, tashmë në qendër të kritikave për origjinën e pandemisë së koronavirusit, është një operacion franko-kinez me staf të trajnuar në Francë, ndërsa u shpreh e hapur për një hetim të mundshëm të OBSh-së për origjinën e Covid-19.

Duke akuzuar sekretarin amerikan të shtetit, Mike Pompeo, për fabrikim gënjeshtrash mbi laboratorin e Wuhanit, Ministria e Jashtme kineze u përpoq t’i refuzonte kritikat për evidentimin e rolit të Francës në çështje.

Zëdhënësja Hua Chunying tha: “Ndoshta ai (Pompeo) ende nuk e di se laboratori i kategorisë P4 në Wuhan është një projekt qeveritar bashkëpunimi franko-kinez dhe ndjek standardet ndërkombëtare në dizajnin dhe menaxhimin e tij. Grupi i parë i punonjësve janë trajnuar në laboratorët e Francës”.

Ditët e fundit Donald Trump dhe sekretari i tij i shtetit Pompeo kanë pretenduar se virusi e ka origjinën në Laboratorin e Virologjisë në Wuhan, ku dhe epidemia vrasëse u pikas për herë të parë.

Hua ngriti përsëri pyetjen nëse Pompeo mund të publikojë ato që ka quajtur prova bindëse mbi pretendimet e tij. “Ai kundërshton vetveten, sajon gënjeshtra për të mbuluar gënjeshtra të tjera. Ky është njëfarë sekreti i hapur”, tha ajo.

Hua përmendi gjithashtu faktin se presidenti Trump e ka quajtur njëherë Covid-19 një sulm më i rëndë se ai në Pearl Harbour gjatë Luftës së Dytë Botërore apo se sulmet terroriste të 2001, duke thënë se armiku është koronavirusi e jo Kina.

“Armiku me të cilin përballet ShBA-ja është koronavirusi. Prandaj ajo duhet të punojë me Kinën si një bashkëpunëtore në luftën kundër armikut. Vetëm përpjekjet e bashkuara mund të sjellin fitoren ndaj virusit”, tha ajo.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdon rritja e numrit…