Laçi e Kumbulla: Do të futemi në fushë për të fituar

05 shtator 2024 | 12:02

Kombëtarja shqiptare do të udhëtojë drejt Pragës, aty ku do të zhvillojë edhe ndeshjen e parë në Ligën e Kombeve ndaj Ukrainës në stadiumin “Epet Arena”. Dy lojtarët kuqezi, Qazim Laçi dhe Marash Kumbulla, para nisjes drejt Pragës folën për “Fshf.org”, duke treguar se si kanë shkuar përgatitjet dhe synimet e Shqipërisë në kompeticionin e Ligës së Kombeve.

Qazim Laçi ka thënë se ndeshja e parë ndaj Ukrainës është shumë e veçantë për të, pasi do të luhet në stadiumin e klubit të tij, Sparta Prague. Mesfushori kuqezi vlerësoi dy kundërshtarët dhe shtoi se mbështetja e tifozëve është shumë e rëndësishme.

“Mezi po presim që të vazhdojmë një aventurë të re në kompeticionin e Ligës së Kombeve. E kemi për detyrë të bëjmë maksimumin pas paraqitjeve në Evropian. Për mua është një ndeshje e veçantë me Ukrainën sepse luajmë në Çeki te stadiumi im”, ka thënë Laçi, i cili me pas foli edhe për ndeshja me Gjeorgjinë në “Air Albania”: “Janë kundërshtarë të fortë, edhe Ukraina dhe Gjeorgjia ishin pjesë të Evropianit. Është shumë e rëndësishme që tifozët të vijnë e të na mbështesin si në Gjermani. Do të jetë një moment i bukur për të gjithë lojtarët dhe sidomos për të gjithë tifozët që do të vijnë në stadiumin ‘Air Albania’, pasi është ndeshja e parë pas Evropianit. Kemi shumë nevojë për tifozët për mbështetjen e tyre, si ndaj Gjeorgjisë dhe në ndeshjet e tjera”.

Në anën tjetër Marash Kumbulla u shpreh se ndeshja e parë ndaj Ukrainës është shumë e vështirë, por theksoi se Kombëtarja do të futet në fushë vetëm për fitore. Mbrojtësi kuqezi tregoi se përgatitjet kanë shkuar shumë mirë dhe se ekipi është gati për ndeshjen ndaj Ukrainës. Ndër të tjera, Kumbulla ka thënë se në “Air Albania” me mbështetjen e tifozëve gjithçka do të jetë më e thjeshtë. “Janë kundërshtarë shumë të vështirë, sidomos Ukraina. Si gjithmonë do të futemi në fushë për të fituar. Me Gjeorgjinë kemi edhe tifozat pasi luajmë në shtëpinë tonë.

Besoj se grupi është gati, jemi stërvitur me intensitet të fortë dhe jemi gati për dy ndeshjet. Ukraina ka ekip shumë të fortë, ka lojtarë të mirë por edhe ekipi jonë ka shumë cilësi. Do të jetë një ndeshje e ekuilibruar dhe e vështirë, shpresojmë që të fitojmë”, ka thënë Kumbulla. “Ndeshja ndaj Gjeorgjisë dhe objektivi i Shqipërisë në Ligën e Kombeve? Tifozët do të na mbështesin si gjithmonë, ashtu si në Evropian në Gjermani por edhe në shtëpi në Tiranë. Edhe ndeshja ndaj Gjeorgjisë do të jetë e vështirë, por me mbështetjen e tifozëve do të jetë më e thjeshtë. Do të futemi në fushë për të fituar, por të shohim dy ndeshjet e para. Objektivi është gjithmonë për të fituar”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Parlamenti i Ukrainës ka votuar të enjten dorëheqjen e ministrit…