Laçi mposht Teutën, Shehu debuton me fitore
Laçi konfirmohet “mace e zezë” për Teutën. Ekipi durrsak nuk ia doli të kthehet me pikë nga transferta kurbinase, pasi u mposht me rezultatin 1-0, falë golit të Mentor Mazrekajt që, sikurse me Tiranën një javë më parë, i dhuron tri pikë të çmuara ekipit të tij.
Skuadra e Shpëtim Duros barazohet me pikë me Teutën, madje e lë pas me golaverazh më të mirë, duke u kthyer mes pretendenteve për titullin. Shkëndijën e parë në këtë sfidë e dha Teuta me Krasniqin në minutën e 13-të, por tentativa e sulmuesit miq, fluturimthi, përfundoi jashtë.
Në të 24-n, Stivi Frashëri për pak i dhuroi një gol skuadrës kurbinase. Portieri korçar gaboi në pasim, duke ia dorëzuar Nwabuezes, por gjuajtja e tij u ndal nga Arapi.
Goli që vendosi takimin u shënua në minutën 35-të nga Mentor Mazrekaj, që përfitoi nga një tjetër “dhuratë” e mbrojtjes së Teutës, duke mposhtur portierin Frashëri. Në fundin e pjesës së parë (43′), Teuta pretendoi për 11 metra pas duelit në mes të Krasniqit dhe Mustës, por për gjyqtarin Xhaja gjithçka ishte e rregullt. Ka protesta për këtë episod nga futbollistët miq. I afrohet golit të dytë Laçi me Nwabuezen, por sërish sulmuesi vendës nuk ka shënjestrën e duhur, me topin që shkoi ngjitur me shtyllën. Amerikani me origjinë nigeriane humbi mundësinë për ta mbyllur ndeshjen, teksa në minutën e 72-të humbi penalltinë e fituar pas një dyluftimi me Arapin.
Në këtë rast, Stivi Frashëri ia mohoi festën. Laçi e kontrolloi me qetësi lojën në minutat e mbetura, madje në minutën e parë shtesë, pas një harkimi të Mazrekajt, Selmani nuk ia doli ta devijonte topin drejt rrjetës në shtyllën e dytë, raporton “Supersport”. Taulant Seferi gjen golin e parë në Superiore, pikërisht në sfidën debutuese të Orges Shehit në krye të Tiranës, duke i siguruar tri pikë të çmuara ekipit bardheblu, në tentativën për t’iu thyer objektivave të rëndësishme sezonalë. Tirana e nis me vrull sfidën në “Loni Popuçiu”, ku Apolonisë iu desh më shumë se çerek ore lojë ta merrte veten. Të paaftë Idriz Batha dhe Ernest Muçi, që në tentativat e tyre (mesfushori nga goditja e lirë) u ndalën nga e njëjta shtyllë në minutat 10’ dhe 14’.
Fierakët e morën dalëngadalë veten, por nuk kishin rrezikshmëri gjatë fraksionit të parë të ndeshjes, pavarësisht prej tentativave për ta rrezikuar portën e Bekajt.
Pjesa e dytë nisi rreth 10 minuta me vonesë për shkak të erës së fortë që nuk lejonte që topi të qëndronte në një vend si dhe rrezikonte shembjen e mbulesës së tribunës. Era e fortë, në fakt, ndikoi edhe në cilësinë e lojës, pasi futbollistët e të dyja skuadrave hasën vështirësi për ndërtimin e aksioneve. Pretendojnë për 11-metërsh vendësit në minutën e 74-t, me Toshevskin që ndal Mihanën brenda zonës, që për futbollistët e Apolonisë ishte me dorë. Vetëm dy minuta më vonë, Apolonia, e cili po kërkonte me ngulm fitoren, ndëshkohet nga Taulant Seferi, i cili e pati të thjeshtë ta dërgonte topin në rrjetë pas një asistimi të pavullnetshëm të Torasës.
Nuk mundi të bënte asgjë Apolonia në minutat e mbetura me vërshëllimën e fundit të kryesorit që sanksionoi humbjen e dytë radhazi të fierakëve në “Loni Popuçiu”. Edhe pas kësaj disfate skuadra e drejtuar nga Cammarata mbetet në vendin e tetë, me një pikë më shumë se Bylisi dhe Skënderbeu.