Laçi: Synojmë të marrim pikët e plota ndaj Italisë
Kombëtarja e Shqipërisë mbylli me sukses fazën përgatitore në Austri dhe tani “Kuqezinjtë” janë vendosur në Kaiserau në Kamen ku do të qëndrojnë dhe përgatiten në kuadër të finaleve të Evropianit “Gjermani 2024”, më konkretisht për sfidat ndaj Italisë, më 15 qershor, Kroacisë, më 19 qershor dhe Spanjës, më 24 qershor.
Siç e do “zakoni”, nga kampi bazë në SportCentrum Kaiserau po zhvillohet edhe konferenca e radhës për shtyp, ku mesditën e kësaj të mërkure i pranishëm është “fantazisti” i mesfushës, Qazim Laçi, i cili foli më tej edhe për sfidën e parë të Kampionatit Evropian të futbollit, ndaj Italisë, ku së bashku me grupin synojnë të marrin pikët maksimale.
“Do të jetë një përballje shumë e vështirë. Që kur mësuam shortin e dinim që ndeshja me Italinë do të jetë shumë e rëndësishme. Siç e thash edhe më para, të gjithë lojtarët po japin maksimumin, janë shumë shumë të fokusuar, shumë të motivuar dhe duhet të luftojmë deri në fund për të marrë maksimumin e pikëve. Ndeshja e parë gjithmonë është pak më e vështira, për çdo ekip. Në kemi arritur deri këtu me shumë meritë. Kemi zhvilluar sfida të mëdha, në kualifikuese dhe do të vazhdojmë me punën e mirë, siç kemi bërë në stërvitje ashtu do të bëjmë edhe në fushën e blertë për të siguruar pikët. Kemi një konkurrencë shumë pozitive brenda grupit, sepse të gjithë lojtarët jemi të barabartë. Në çdo pozicion ka shumë garë dhe të gjithë lojtarët po japim maksimumin për ta çuar Kombëtaren sa më lart”, u shpreh mesfushori shqiptar.