Ladrovci takon përfaqësuesit e Fondacionit Milenium Kosova
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci me bashkëpunëtorë, ka pritur në takim Petrit Selimin, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Milenium Kosova, Sarah Olmstead, drejtoreshë ekzekutive e MCC-së për Kosovë dhe Burim Hashanin, drejtor i Programit të Energjisë.
Lladrovci ka falënderuar për kontributin e dhënë nga Fondacioni Milenium Kosova dhe ka shprehur gatishmërinë e tij për të vazhduar këtë projekt, ndërsa të pranishmit i ka informuar edhe për projektet që ka të planifikuara komuna lidhur me zbatimin e projekteve ne fushën e efiçiencës së energjisë elektrike.
Ndërsa, drejtori i fondacionit Milenium Kosova, Petrit Selimi, ka njoftuar kryetarin Lladrovci se ky fondacion është implementues i programit “Threshold”, në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Millennium Challenge Corporation, që është agjenci e pavarur e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbështetje në luftën kundër varfërisë globale.
Përmes këtij programi, synohet të trajtohen pengesat e zhvillimit ekonomik, ku furnizimi i sigurt me energji elektrike është identifikuar si një nder pengesat kryesore.
Ky projekt ka për qëllim të mbështesë rritjen e efiçiencës energjetike në ndërtesat e banimit, si dhe kalimin ne ngrohje që nuk bazohet ne energji elektrike.
Në kuadër të projektit, po ashtu parashihet edhe mbështetja e zhvillimit te sektorit privat që ofron shërbime në fushën e efiçiencës energjetike duke përfshirë edhe avancimin e pozitës së grave dhe kategorive të cenueshme sociale.
Në këtë takim, Petrit Selimi, ka njoftuar se në fund të muajit gusht të këtij viti, komunave do t’i shpërndahet një pyetësor lidhur me gjendjen e masave që kanë ndërmarr komunat lidhur me implementimin e projekteve në fushën e efiçiencës së energjisë dhe do të përgatiten termat e referencës për shpalljen e tenderit për kompanitë të cilat do të implementojnë këtë projekt.
/Epoka e re/