![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2021/10/2AFA2711-4ECF-4E2A-9499-5D0A0362926E.jpeg)
Lagjet shqiptare në veri kalojnë nën menaxhim të policisë së Mitrovicës jugore
Zonat kadastrale të lagjeve Suhodoll, Gushavc, Vinarc i Epërm, Vinarc i Poshtëm dhe Vidimiriq i kanë kaluar në menaxhim stacionit policor në Mitrovicë të Jugut.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se ky ndërrim është bërë me kërkesë të kryetarit të kësaj komune, Agim Bahtirit dhe banorëve të lagjës Suhodoll, përcjell Demokracia.com.
“Ne garantojmë rend dhe sundim ligji gjithandej. Policia e Kosovës vazhdon të mbetet e përkushtuar në ofrimin e mbrojtjes dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim”, ka bërë të ditur Sveçla.
Postimi i plotë:
Pas kërkesës së Kryetarit të Komunës së Mitrovicës z. Agim Bahtiri, kërkesës së banorëve të Suhodollit pas vizitës sime atje si dhe rishikimit të hartave kadastrale të Komunës së Mitrovicës, zonat kadastrale Suhodoll, Gushavc, Vinarc i Epërm, Vinarc i Poshtëm dhe Vidimiriq kalojnë nga menaxhimi dhe përgjegjësia e Stacionit Policor të Mitrovicës Veriore në atë Jugore.
Ky vendim ka hyrë në fuqi sot nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë z. Samedin Mehmeti pas vlerësimit të pajtueshmërisë me të gjitha aktet ligjore si dhe janë njoftuar të dy Drejtorët Rajonalë të Stacioneve Policore në zbatim të këtij vendimi.
Ne garantojmë rend dhe sundim ligji gjithandej. Policia e Kosovës vazhdon të mbetet e përkushtuar në ofrimin e mbrojtjes dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim.