Lahi Brahimaj: Krenar me djemtë dhe vajzat e UÇK-së
Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Lahi Brahimaj, ka reaguar pas aktakuzës së Prokurorisë dhe emrat që u publikuan se bëjnë pjesë në listën e veteranëve mashtrues.
Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se ndihet krenar me djemtë dhe vajzat e UÇK-së.
Postimi i plotë i tij:
Krenar me djemtë dhe vajzat e UÇK-së. Në fillet e organizimit të UÇK-së shpesh kemi qenë të fyer, qëllimshëm ose jo. I kemi injoruar sepse qëllimin e kemi pas të lart, çlirimin e vendit.
Edhe gjatë luftës së ashpër frontale ‘98/’99, fyerjet publike ndaj UÇK-së dhe pjesëtarëve të saj nuk kanë munguar. Askush nuk kishte kohë të merrej me to, ishim në telashe me armikun.
Publikimi i listës së fundit të kinse veteranëve mashtrues, është fyerje e rëndë publike dhe gjykim kolektiv i paprecedent.
Është goditje e rëndë morale për të gjithë ata që në kohë të vështira ishin të gatshëm të sakrifikojnë jetën për vendin.
Dikush duhet të jap përgjegjësi për këtë, kushdo qoftë ai. Luftëtarët e lirisë nuk ua kanë me borxh denigrimin e tillë publik.