Lahi Brahimaj kujton nënën Aze: Falë kujdesit e kontributit tënd, qëndruam në këmbë atëherë e po jetojmë krenarë sot
Ish-deputeti i Kuvendit nga radhët e AAK-së, Lahi Brahimaj ka kujtuar sot nënën e tij, Aze Brahimaj dhe gjyshen e tij, përkatësisht nënën e Azes, Zize Sylaj në përvjetorin e rënies.
Përmes një postimi në Facebook, Gjeneral Lahi Brahimaj ka thënë se falë kujdesit e kontributit të Aze Brahimajt, kanë qëndruar në këmbë në kohë lufte e janë krenarë në paqe.
“Sot në përvjetorin e përjetësimit tënd, shoh se dhembja për nënën assesi të shuhet, por krenaria për një heroinë, tejkalon secilën dhembje. Bashkëluftëtarët të quanin Nana e UÇK-së, e në atë cilësi po të kujtoj sot, si bashkëluftëtar. Falë kujdesit e kontributit tënd, qëndruam në këmbë atëherë e po jetojmë krenarë sot”, ka shkruar Brahimaj.
Ai ka kujtuar edhe heroin Idriz Gucati dhe martirët Sejdi e Arif Kasumaj dhe Ukshin Hamza.
“Sot kujtojmë po ashtu heroin Idriz Gucati dhe martirët e përjetësuar po atë ditë, Sejdi e Arif Kasumaj, Ukshin Hamza dhe Zize Sylaj. Pushoni të qetë në vendin për lirinë e të cilit sakrifikuat më të shtrenjtën tuaj”, ka përfunduar Brahimaj.