Lajçak: Do të vazhdoj të bashkëpunoj ngushtë me ShBA-në
Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i emëruar rishtazi, ka deklaruar për “Radion Evropa e Lirë” që detyra e tij është që ta përfundojë suksesshëm këtë dialog dhe të sigurojë që Kosova dhe Serbia një herë e përgjithmonë t’i zgjidhin të gjitha çështjet e pazgjidhura.
Siç ka thënë ai, ekziston vetëm një dialog, të cilin e ndërmjetëson Bashkimi Evropian, por ka shtuar që do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me kolegët amerikanë, sepse “Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian ndajnë agjendën e përbashkët për rajonin”.
“ShBA-ja ka qenë partnerja kryesore e BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe partnerja kryesore e BE-së në dialogun e Beogradit dhe Prishtinës”, ka thënë Lajçak.
Ai ka shuar se dialogu i deritashëm, i cili ka nisur në vitin 2011, ka shënuar rezultate domethënëse lidhur me lëvizjen e mallrave dhe njerëzve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kodin telefonik ndërkombëtar, integrimin e policëve dhe gjykatësve serbë në sistemin e Kosovës, si dhe mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta në gjithë Kosovën dhe integrimin e Kosovës në nismat rajonale dhe të tjera.