Lajçak: Këtë javë, fokusi te takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për të zhdukurit
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, tha se fokusi i kësaj jave në Bruksel do të jetë te takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për personat e zhdukur në luftën e fundit në Kosovë.
Në postimin e bërë në Facebook, Lajçak nuk dha ndonjë datë konkrete për takimin.
Ky komision është pjesë e Deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur, të cilën Kosova dhe Serbia e kanë arritur në vitin 2023, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Megjithatë, zotimet që përfshin ajo – si qasja e plotë në informacione të besueshme, vënia në dispozicion e të gjitha dokumenteve me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur dhe puna e përbashkët përmes një komisioni të kryesuar nga BE-ja – kanë mbetur pa u zbatuar.
Në takimin e fundit në Bruksel më 17 dhjetor të vitit të kaluar, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, kanë thënë se janë pajtuar për zbatimin e plotë të Deklaratës për personat e zhdukur, raporton REL.
Në atë rast, Bislimi ka konfirmuar se Komisioni i Përbashkët do të fillojë të merret me çështjet në fjalë që nga janari.
“Ka premtime nga Serbia se nuk do të ketë tendenca që të pengohet puna e këtij komisioni në të ardhmen”, ka thënë atëkohë Bislimi.
Petkoviq, në anën tjetër, ka thënë se është ndërmarrë “hapi i fundit i nevojshëm” për çështjen e personave të zhdukur.
“Kemi Deklaratën, kemi rregulloren e punës dhe tani kemi rënë dakord për një komision të përbashkët që do të mbështesë grupin e punës, të cilin, si deri tani, e kryeson Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq”, ka thënë ai.
Sipas Kryqit të Kuq, janë ende 1.612 persona të pagjetur nga lufta e viteve 1998/99 në Kosovë – shumica prej tyre shqiptarë.
Kosova dhe Serbia kanë bërë vazhdimisht përgjegjëse njëra-tjetrën për mungesën e përparimit në kërkimin e të zhdukurve.
Varreza e fundit masive është zbuluar në vitin 2020 në vendin e ish-minierës Kizhevak, afër Rashkës, në jug të Serbisë.
Ajo ka qenë varreza e pestë masive që është zbuluar në territorin e Serbisë që nga viti 2001.
Para gjykatave në Serbi, deri më tash, askush nuk është mbajtur përgjegjës për lëvizjen dhe fshehjen e trupave të shqiptarëve të Kosovës.
Ish-shefi i Departamentit të Sigurisë Publike në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë, Vllastimir Gjorgjeviq, është dënuar nga gjykata në Hagë me 27 vjet burg, për krime në Kosovë, përfshirë lëvizjen e trupave dhe varrosjen e tyre në varre të fshehta.
Në aktgjykim thuhet se transporti është kryer si pjesë e një operacioni të koordinuar për largimin e dëshmive të krimeve të kryera nga forcat serbe kundër shqiptarëve të Kosovës.
Dënimi i Gjorgjeviqit më vonë është reduktuar në 18 vjet dhe ai po e vuan atë në një burg në Gjermani.