Lajçaku: Kosova dhe Serbia kanë mosbesim të madh ndaj njëra-tjetrës
Miroslav Lajçak, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, ka komentuar takimin në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuçiq.
Në një prononcim për agjencinë e lajmeve të Sllovakisë, “TASR”, Lajçaku ka vlerësuar se të dyja palët kanë mosbesim ndaj njëra-tjetrës. “Megjithatë, zbatimi i vërtetë i marrëveshjes nuk ka filluar në gjashtë muaj. Të dyja palët kanë një shkallë të madhe mosbesimi ndaj njëra-tjetrës. Ata thonë ma jep atë që meritoj dhe pastaj do të bëj atë që është e nevojshme”, ka thënë Lajçaku.
Më tutje, ai ka thënë se për shkak të kësaj qasjeje BE-ja ka paraqitur një propozim prej shtatë pikash që i lejon të dyja palët ta vazhdojnë paralelisht zbatimin e marrëveshjeve. “Jam i bindur se marrëveshja e Ohrit është dokumenti më i mirë. Të dyja palët e kanë pranuar dhe do të ishte turp të shkonte huq. Në atë rast presim më shumë konflikte, përshkallëzim të tensionit dhe më shumë dhunë në veri të Kosovës”, është shprehur Lajçaku.